75 Mall Live Search
12:03 / E Mërkurë, 19 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Gjuajtje me armë mes hajnit dhe policisë në Prishtinë, arrestohet pas aksionit

Në ora 03:00 të mëngjesit, në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë, forcat e Policisë kanë vënë shiritat rrethues afër një ndërtese, ku po tentohej të bëhej një vjedhje.

Detaje për këtë rast ka dhënë për Indeksonline Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sipas të cilit, mbrëmë në këtë vend pati edhe të shtëna armësh.

“Policia e Kosovës ka pranuar një informatë mbrëmë dhe ka dal menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur në një të dyshuar që u kap në flagrancë duke kryer një vjedhje të veturës. Policia ka vepruar shpejt në rast dhe me të arritur në lokacion, i dyshuari ka filluar të shtie me armë në drejtim të Policisë”, ka thënë Kelani.

Sipas tij, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje i janë përgjigjur me armë të dyshuarit që po tentonte të vjedh veturën.

“Përkundër sulmit, policët nuk janë zmbrapsur dhe kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin, i cili pastaj është dërguar në stacion për procedura të mëtejme”, ka përfunduar Kelani. /Indeksonline/