75 Mall Live Search
23:27 / E Enjte, 20 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Koci: 18 vjeçari i komunitetit ashkali nuk ka kryer vjedhje por grabitje me armë

Për shkak të debatit që është ngritur për dënimin me 7 vjet burg të një 18 vjeçari nga komuniteti ashkali për shkak se ka vjedhur 430 euro, ka reaguar avokati i njohur, Arianit Koci.

Indeksonline pati raportuar muaj më parë për këtë grabitje me armë, e cila ka ndodhur në qendër të Podujevës.

Nga ana e tij, Koci ka sqaruar se në rastin në fjalë, siç duket kemi të bëjmë me grabitje të armatosur dhe jo me vjedhje.

Për këtë, sipas tij cdo grabitja me armë e ka minimumin e dënimit – 7 vjet!
Megjithatë ai ka shtuar se i dënuari ka të drejtë ankese në këtë rast, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i tij:

“Dënimi i pjesëtarit të komunitetit ashkali për vjedhjen e 430 eurove, u dënua nga shumë individ, duke përfshirë edhe politikan – për shkak se aludohet që një dënim prej 7 vitesh për “vetëm” atë shumë është dënim drakonik, dhe kjo është bërë për shkak të kinse racizmit të gjykatës.
Kjo nuk është aspak e saktë!
Së pari, si duket, nuk kemi të bëjmë me vjedhje por me grabitje, sipas të gjitha gjasave grabitje e armatosur.
Sidoqoftë, pa dashur të hy në çështjen se a është i dënuari në shkallë të parë fajtor apo jo, më duhet të sqaroj:
Neni 329 paragrafi 3 i Kodit Penal parasheh se kushdo që kryen veprën penale të grabitjes, dhe vepron si anëtar i grupit ose i cili ka me vete armën apo mjetin e rrezikshëm, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë (12) vjet:
Pra, grabitja me armë e ka dënimin e paraparë ligjor, minimum shtatë (7) vjet.
Nuk është me rëndësi sa është vlera.
Sidoqoftë, problem tjetër është fajësia apo pafajësia e të dënuarit në shkallë të parë.
I njejti, pjesëtari i komuniteti ashkali, ka të drejtë në ankesë!
Mund edhe mos të jetë fajtor.
Për këtë vendosin gjykatat e instatncave më më të larta.
Prandaj, nuk mjafton vetëm t’iu rrisim rrogat gjykatësve.
Duhet edhe t’iu besojmë”, ka shkruar Koci.

Këtu mund ta gjeni lajmin rreth këtij rasti të raportuar tre muaj më parë nga Indeksonline.