Drenori: Asamblisti Gllareva shkoi të PDK sepse ja sulmuan babain
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, në Asamblenë e Drenasit, brenda dy ditëve të fundit është forcuar me dy asamblistë, njëri nga Nisma Socialdemokrate e tjetri nga Vizioni për Drenasin. Që të dy transferet i bëri publike kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Derisa të shtunën ndodhi kalimi i asamblistit Nexhmedin Bala, sot edhe Endrit Gllareva nga Vizioni për Drenasit iu bashkua PDK-së. E për këtë të fundit, ka reaguar ish shefi i Endritit, Xhavit Drenori.
Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se falënderon për mbështetjen dhe përkrahjen që ja ka dhënë qoftë për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, qoftë ato nacionale ku kishte garuar në listë me Vetëvendosjen, por edhe në zgjedhjet e fundit lokale (2017) nga të cilat Endriti edhe e ka fituar mandatin e asamblistit.
“Që nga fillimi kemi qenë të kujdesshëm si asamblist që ta ruajmë dhe ta mbrojmë Endritin sepse prindi i tij punon në Zyrën e Prokurimit në Komunën e Drenasit. Duke pasur parasysh presionet ndaj babait në komunë, ne jemi munduar ta kursejmë nga ndonjë reagim në Kuvend”, ka thënë Drenori duke shtuar se në fakt këtë e kishte kërkuar vet Endriti.
“Në fakt ai këtë edhe e ka kërkuar sepse ai ka treguar se babi i tij është sulmuar fizikisht nga një asamblist i PDK-së i cili është me mandat në Kuvend për çështje të një tenderi dhe se ku rast është paraqitur edhe në polici”, ka thënë Drenori për Indeksonline duke shtuar se nëse nisemi nga ky fakt, atëherë mund t’i japim të drejtë Endritit kalimin në PDK sepse jeta e familjarit të tij është më e rëndësishme se pozicionimi politik.
Përndryshe, sipas Drenorit, asnjë arsyeje tjetër reale nuk ekziston për këtë kalim, sepse në Vizionin për Drenasin ai kishe hapësirë të nevojshme për artikulim të qëndrimeve të tij.
“Secili asamblist nga opozita që i bashkohet PDK-së, definitivisht e bëjnë për çështje të përfitimeve personale, këtë e bazoj në faktin se kryetari Llladrovci nuk ka krijuar asnjëherë frymë apo bashkëpunim me asamblistë”, ka thënë në fund Drenori./Indeksonline/