Haradinaj: S’do lejojmë kriminelët të marrin ligjin në dorë, policët mos të lëshojnë pe
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, pas vdekjes së policit që humbi jetën dje në detyrë në Istog, Izet Demaj.
Haradinaj ka thënë para mediave se tash e tutje Policia e Kosovës do të marr përkrahje edhe më të madhe dhe se nuk do të lejoj që kriminelët të marrin ligjin në duar, raporton Indeksonline.
“Polici ka shti në mbrojtje të rendit. Unë kam ardh me iu shpreh ngushëllime për rastin, me iu dhënë përkrahje policisë, është e pamundur që me leju që kriminelet me bo ligjin në Kosovë. Policia do të marr përkrahjen për çka do coftë në Kosovë, dje kanë mundur të vriten gra, fëmijë e shumë persona të pafajshëm. Mundësia dje ka qenë shumë më e madhe për viktima”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës do te marrin të gjitha veprimet për mbrojtjen e policisë sigurimin jetësor, shëndetësor, etj, për cka edhe janë kritikuar shpesh.
“Kjo do të jetë ditë kthese, vrarja e policit dje do të bëj një kthesë. Ligjet për sigurimet shëndetësore kanë avancuar janë në fazën finale, në fillim të janarit do ti procedojë një nga një. Kemi ndryshuar gjendjen në polici, tani jemi në prag të vitit të ri, apeloj mos të vozitet në ndikim të alkoolit, mos ta kthejmë festën në zi e dhimbje. Apeloj te policët mos të lëshojnë pe”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se tani është filluar procesi për shtimin e efektivëve, pasi Kosova është më e ekspozuar ndaj personave që kanë të kaluar kriminale në vendet perëndimore, siç ishte rasti i djeshëm. /Indeksonline/