Greva e të privilegjuarve dhe e aventurierëve!
Deklarimi i Sindikatës së Shëndetësisë se greva aktuale e mjekëve nuk është organizuar prej tyre por nga një grup mjekësh tjerë, e tregon më së miri natyrën e kësaj greve.
Por, pavarësisht nga kjo, duhet parë disa realitete të hidhura në Kosovë, të cilat çdo ditë më tepër e dëshmojnë një stërkeqje të asaj pjese të shoqërisë, e cila ka marrë gjithmonë më së shumti prej Kosovës dhe Kosovën e ka parë si plaçkë e jo si vendin e vet ku duhet të jetojë, të vdesë e të lë prapa një dritë të mirë për të.
Por, kush janë mjekët në përgjithësi në reflektimet e zhvillimeve të përgjithshme që ka përjetuar Kosova që nga periudha e para luftës, pasluftës e deri më sot:
E para, Kosova nuk ka edhe një kategori tjetër në madhësinë e saj që ka gëzuar gjithmonë privilegje;
E dyta, kategoria e mjekëve ka gëzuar privilegje edhe në aspektin financiar si askush tjetër;
E treta, Kosova as në kohën e paraluftës, as në kohën e pasluftës dhe as sot kurrë nuk ka pasur mjekë të varfër e as stafin e saj përcjellës;
E katërta, Kosova e paraluftës e pasluftës dhe sot vazhdon t’i krijojë kushte me prioritet mjekëve dhe kësaj kategorie dhe nuk bëhet fjalë për të ardhura “të varfra” kur është në pyetje standardi i jetës në Kosovë përballë kategorive tjera të shoqërisë;
E pesta, në qoftë se ekziston një kategori e shoqërisë që ka përfituar gjithmonë edhe në kohën e pushtimit klasik të Kosovës edhe në kohën e luftës e edhe pas saj, atëherë, në madhësinë e vet janë pikërisht mjekët dhe stafi i tyre përcjellës;
E gjashta, në qoftë se thuhet e vërteta e zhveshur, atëherë mund të thuhet shkoqur e pa shibla se korrupsioni më i madh në kuadër të kategorive dhe shtresave të ndryshme të kolektivitetit të Kosovës, ekziston, ka ekzistuar tek mjekët, të cilët, në një formë e në një tjetër, si thuhet, nuk e lënë kujt pa ia hequr një qime;
E shtata, askush ma shumë se kjo kategori nuk e keqpërdorë shtetin dhe pasurinë shtetërore të aparaturave, qoftë kur ato janë në funksion, qoftë kur ato janë të prishura. Në të dyja rastet, janë mjekët dhe stafi i tyre që përfiton e humbin gjithmonë pacientët;
E teta, askush nuk e keqpërdorë më shumë se mjekët kohën e biznesit të tyre privat me kohën e paguar prej shtetit;
E nënta, askush nuk e thyen moralin e shërbimit dhe ligjin më shumë se partneriteti i vetëshpallur shtetëror (publik) e privat i mjekëve, të cilët i marrin pacientët nga klinikat shtetërore e i dërgojnë në qendrat e tyre private;
Lista e zezë e mjekëve të Kosovës si kategori e privilegjuar në të gjitha kohërat nuk është e lehtë të mbarojë. Vetëm të paramendohet arsimi i Kosovës, mësimdhënësit dhe shëndetësia, përkatësisht mjekët dhe stafi i tyre, atëherë mund të mësohet shumë e vërteta e mjekëve që e atakon edhe një shofer për ta fituar argumentin se ai duhet të paguhet më shumë.
Ndoshta është koha e qëlluar që krahas veprimit të prokurorisë së vendit të bëhet edhe një hap ndaj ligjit për ta parë të drejtën e grevës në sektorët e ndjeshme, siç është shëndetësia apo edhe disa segmente tjera.
E vërteta është se mjekët dhe stafi i tyre në këtë rast duan më shumë prej Kosovës, e cila po perceptohet nga kjo kategori si një lopë që duhet mjelë edhe më shumë për të privilegjuarit dhe të pasurit.
Dhe krejt për fund një pyetje: a ka parë kush deri më sot një mjek që është duke punuar dhe që është i varfër në krahasim me kategoritë tjera apo me shoferët?!
Përgjigjja e kësaj pyetje ndoshta mund të na ndihmojë ta shohim realitetin e mjekëve grevistë dhe të stafit të tyre. / Indeskonline