VV: Kryetari që s’mundet t’i pastrojë rrugët, tenton të marrë përgjegjësi shtesë!
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë është shprehur e shqetësuar me gjendjen e rrugëve të kryeqytetit.
Në një reagim të VV-së në Facebook, thuhet se kryetari i Komunës në vend që të merret me problemet e qytetarëve prej të cilëve ka marrë besimin, po merret dialogun që e përcakton të ardhmen e vendit, transmeton Indeksonline.
Më poshtë reagimi i plotë i VV-së:
Kryetari që nuk mundet t’i pastrojë rrugët, tenton të marrë përgjegjësi shtesë!
Duke parë gjendjen e jashtëzakonshme me reshje të shumta të borës, me informatat e marra nga pikat e Lëvizjes nëpër lagjet e fshatrat e Prishtinës, jemi të shqetësuar me neglizhencën që Komuna e Prishtinës po tregon në pastrimin e rrugëve dhe trotuareve.
Përderisa edhe qendra e qytetit po përballet me trafik të ngarkuar dhe bllokada për shkak të rrugëve të ngrira, gjendja nëpër fshatra është shumë më e rëndë.
Kryetari i Komunës në vend që të merret me problemet e qytetarëve prej të cilëve ka marrë besimin, po merret dialogun që na e përcakton të ardhmen tonë. Ky kryetar nuk po mundet ta pastrojë as borën në qytet, e lëre më të marrë përgjegjësi shtesë! /Indeksonline/