Regres në politikën e jashtme
Viti që e lamë pas po vlerësohet se përbënë regres të plotë në politikën e jashtme. Dështimi për anëtarësim në Interpol dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, mos liberalizimi i vizave për kosovarët dhe mungesa e njohjeve, janë disa nga dështimet që po i adresohen shërbimit diplomatik.
Përveç këtyre, vlerësohet se shërbimi diplomatik është politizuar skajshëm, madje thuhet se në diplomacinë kosovare punësohen militantë partiak dhe që nuk kanë njohuri se si funksionon politika e jashtme.Një akuzë drejtuar MPJ-së është edhe heshtja karshi lajmeve që shteti i Serbisë ka bërë gjatë gjithë vitit për heqjen e njohjeve nga disa shtete.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, shprehet se Ministria e Punëve të Jashtme gjendet para kolapsit. Për më tepër ai thotë se 80 përqind e atyre që janë në shërbimin diplomatik kosovar nuk njohin as definicionet themelore të politikës së jashtme.Sa i përket lajmeve për heqjen e njohjeve nga disa shtete, Hoti thotë se këtë shteti serb e ka bërë për ta dobësuar pozicionin e Kosovës dhe për ta forcuar pozicionin e vet.
Vitin që e lamë pas të dështuar sa i përket politikës së jashtme e quan edhe Artan Murati nga KDI, i cili thotë se viti 2018, përbënë një nga vitet më të dobëta të historisë së diplomacisë kosovare.Mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe mungesa e njohjeve për Rasim Alija nga D4D, paraqesin dështim të plotë të politikës së jashtme të Kosovës.
Ndërkaq, analisti politik Belul Beqaj thotë se politika e jashtme e Kosovës është reflektim i dështimeve të politikës së brendshme të Kosovës.
Kosova këtë vit është njohur vetëm nga një shtet, Barbadosi. Për mungesë të njohjeve një faj sipas Arton Demhasaj nga organizata Çohu, e ka edhe ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me shtetin serb.
Në vitin 2018, Kosova nuk ka arritur asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare dhe as aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ani pse Qeveria ka thënë se është gati që në muajin prill. Ishte premtuar edhe marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2018, por që as për këtë nuk ka asgjë.