Rama: Gent Cakaj nuk ka predikuar ndryshim kufijsh, e prezantuan rrejshëm
Kryeministri Edi Rama në pritje me trupin diplomatik ka folur për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm.
Rama i ka quajtur injorantë të gjithë ata që sipas tij, Gent Cakës i kanë bërë një prezantim të rrejshëm.
Rama: Më vjen keq që pasuesi i tij, një shqiptar i ri nga Prishtina, me një ditur të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i Evropës dhe Punët e Jashtme në një mënyrë të pazakonte në pazakonshmërinë e mjedisit tonë politik.
Paragjykimet, balta e terrenit politik shqiptar dhe mllefi i pangushëllueshëm i injorantëve kanë bërë për të prezantimin më të rrejshëm publik, përpara se ai vetë të hapë gojën si ministër. E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për tre arsye:
1-është shumë i ri, nuk i përket botës së tyre të vjetër
2-është shumë i pastër, dmth nuk mund të akuzohet për asgjë
3-sepse është nga Prishtina, dmth një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, po ama si kosovar mund të përdoret si mish për top, nga ata që i janë kundërvënë egërsisht me vandaliziëm verbal dialogut Kosovë-Serbi.
Unë nuk e kam zgjidhur Gent Cakën as si kosovar dhe as si i ri, por si një shqiptar evropian, pasionant për dijen, për politikën dhe për atdheun tonë, i cili tashmë prej kohësh punon me mua, shtetas i Shqipërisë, fillimisht si këshilltar dhe më pas si zv/ministër.
Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë ose është një keqdashës, ose një keqlexues ose të dyja bashkë.
Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshimesh kufijsh në Ballkan, dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë që i takon lidershipit demokratiskisht të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në shtetin e Kosovës.
Shqipëria e mbështet dialogun
Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të pranohet dhe garantohet nga SHBA dhe nga BE. Pikë! Të tjerat janë fukarallëk mendjesh dhe maskarallëk politikanësh. Nuk e di si do tua përkthejnë në anglisht shprehjen fukarallëk dhe maskarallëk, por ambasadori i Turqisë mund t’u ndihmojë me një përkthim alternativ.