Prokuroria Ferizaj me kërkesa për paraburgim ndaj dy të pandehurve
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka paraqitur dy kërkesa për caktim të masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër dy të pandehurve.
Sipas Prokurorisë, ata kanë bërë kërkesë për paraburgim kundër të pandehurit S.R., sepse ekziston dyshimi i bazuar se me datë 19 janar, në fshatin Petrovë, komuna Shtime, i pandehuri lëndon të dëmtuarit N.I., dhe S.I, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, me paramendim me një dru, e godet fillimisht të dëmtuarin N.I., në kokë dhe në pjesët e ndryshme të trupit dhe më pas e godet edhe të dëmtuarin S.I., në kokë me ç’rast iu shkakton lëndime trupore për çka të dëmtuarit detyrohen të kërkojnë edhe ndihmë mjekësore në QKMF në Shtime, ndërsa i dëmtuari N.I., dërgohet për tretman në QKUK-Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se i pandehuri S.R., me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim që nga data 19 janar.
Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit edhe ndaj të pandehurit A.A., nga fshati Greme, komuna Ferizaj, i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim që nga data 18.01.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se pas një mosmarrëveshje rreth punëve, me dashje që të i shkaktoj lëndime trupore e godet në kokë dhe pjesë të tjera të trupit të dëmtuarin XH.V., i cili pëson lëndime të rënda trupore për çka është edhe duke u trajtuar në QKUK-Prishtinë- me çka ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 par. 1 të KPRK-së