Vuçiq nesër takohet me Merkelin. Njëra ndër temat e diskutimit edhe taksa
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se Qeveria nuk do të heq taksën 100% ndaj produkteve serbe, janë për keqardhje.
Sipas tij deklaratat e tilla nuk janë një sinjal i keq vetëm për shtetin serb, por për të gjithë rajonin, transmeton Indeksonline.
Përpos kësaj, Vuçiq ka paralajmëruar edhe një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel, që do të zhvillohet nesër në ora 16:00.
Në këtë takim, temë diskutimi do të jetë Kosova dhe ka shumë mundësi që Vuçiq t’i kërkojë Merkel që të bëjë presion në drejtim të Kosovës për heqjen e taksës.

Ky është takimi i 15-të deri më tani, duke përfshirë edhe kohën kur ai ishte kryeministër.
Lidhur me taksën e vendosur në drejtim të produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës, kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe Ambasadorin e Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Por edhe pas këtij takimi, Haradinaj u shpreh i vendosur që taksa nuk do të largohet./Indeksonline/