75 Mall Live Search
12:43 / E Hënë, 28 Janar 2019 / indeksADMonline

Mustafa: Veprimet e Qeverisë hapën dyert që të gjithë të kërkojnë rritje të pagave

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar lidhur me grevat që po mbahen në vend, atë të mësimdhënësve dhe të mjekëve.

Mustafa ka thënë se është dëm i madh kur fëmijët fillojnë të mësohen të humbin mësimin dhe kur pacientët shtrëngohen të durojnë sëmundjet e tyre, pa e ditur se kur do të përfundojnë grevat.

Ish-kryeministri i vendit, Mustafa tha poashtu se duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme mbi bazë parimore dhe që pagat të jenë të njëjta për punë të njëjta, si dhe në harmoni me kapacitetin buxhetor, transmeton Indeksonline.

Mustafa ndër të tjerash tha se është kritikuar se ai dhe qeveria e tij kishin lënë shumë borxhe për paga e mëditje, por që sipas tij kjo nuk është e vërtetë dhe se qeveria e tij i mbeti borxh para se gjithash vetes.

Ai tha se vazhduan të punojnë me dyfish paga më të ulëta sesa të tjerët.

Kryetari i LDK-së shtoi poashtu se është dëm të pësojnë fëmijët, studentët, pacientët dhe qytetarët nga premtimet dhe mashtrimet e bëra gjatë fushatës dhe nga vendimet e pamatura.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë

Është dëm i madh kur fëmijët fillojnë të mësohen të humbin mësimin dhe kur pacientët shtrëngohen të durojnë sëmundjet e tyre, pa e ditur se kur do të përfundojnë grevat.

Konsideroj se duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme mbi bazë parimore. Të sigurohet që pagat të jenë të njëjta për punë të njëjta dhe pagat të jenë në harmoni me kapacitetin buxhetor.

Qeveria ka bërë veprime, përmes së cilave ka hapur dyert që të gjithë të kërkojnë rritje të pagave. Nga njerëzit e këtij kabineti qeveritar jam kritikuar unë dhe qeveria ime se kemi lënë shumë borxhe për paga e mëditje, të cilat pastaj me vendimet guximshme i ka kryer kjo qeveri. Diçka nga kjo është e vërtetë. Qeveria ime i mbeti borxh para së gjithash vetvetes. Sepse vazhduam të punojmë me dyfish paga më të ulëta sesa tjerët. Por u angazhuam të ndërtojmë rregulla që pagat të mos caktohen me fushatë parazgjedhore dhe me vendime ad-hoc por me Ligj. Që rritja e pagave të shkojë proporcionalisht me rritjen ekonomike dhe që të përcaktohet sistemi i pagave të njëjta për punë të njëjta. Ndryshe përfundojmë me krizë financiare si Greqia e para disa viteve, por me dallim se Greqia shfrytëzoi fondet e BE-së, si anëtare, e ne falimentojmë lehtë, sepse nuk jemi anëtare e BE-së.

Prandaj, pa marrë parasysh edhe sa ditë apo muaj i ka kjo qeveri, të gjithë duhet të sillen racionalist sa i përket arkës së shtetit por edhe kërkesave për rritje të pagave. Të punohet me FMN-në për kriteret, të bëhen analiza krahasuese me vendet në regjion dhe sistemi i pagave të përcaktohet me parime. Është dëm të pësojnë fëmijët, studentët, pacientët dhe qytetarët nga premtimet dhe mashtrimet gjatë fushatës dhe nga vendimet e pamatura! IM