Të zhdukurit, Franca i kthen përgjigje pozitive kërkesës së Tahirit për presion mbi Serbinë
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pranuar sot një letër nga Ministrja e Drejtësisë në Francë, Nicole Belloubet.
Kjo letër tregon mbështetjen e plotë të saj në drejtim të kërkesës së bërë nga Tahiri për homologët evropianë që të shtohet presioni ndaj Serbisë për të hapur arkivat në mënyrë që të japë informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur.
Tahiri me këtë rast është shprehur falënderues ndaj ministres franceze Belloubet, duke ftuar poashtu edhe shtetin serb që të reflektojë seriozisht dhe të marrë përgjegjësitë e vetë ndaj kësaj kërkese, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë:
Personat e zhdukur nga lufta në Kosovë, janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët por për gjithë shoqërinë tonë dhe kjo temë që rëndon mbi supet tona duhet të marrë një epilog. Në referencë të kërkesës sime drejtuar homologëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për të shtuar presionin ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të jap çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur, sot kam pranuar një letër nga Ministrja e Drejtësisë e Francës, znj. Nicole Belloubet, përmes së cilës kam marrë mbështetje të plotë dhe të tërësishme në kërkesën time. Jam tejet falënderues ndaj Ministres Belloubet që iniciativa ime ka gjetur mbështetje të gjerë dhe me këtë rast, sërish ftoj vendet e Bashkimit Evropian për ta trajtuar me prioritet këtë çështje të rëndësishme për shoqërinë tonë. Gjithashtu ftoj shtetin serb që të reflektojë seriozisht dhe të marrë përgjegjësitë e veta ndaj kësaj kërkese. Kjo nuk duhet parë si temë politike, por si një përkushtim mbi bazën e humanizmit, sepse është e drejtë themelore e familjarëve për të ditur mbi fatin e më të afërmeve të tyre dhe Republika e Serbisë ka përgjegjësi ndaj kësaj çështje.