Krasniqi thotë se AKR e Nisma fituan nga koalicioni, Mushkolaj e quan PDK-në me traditë për prishje të koalicioneve
Zhvillimet e fundit në vend kanë bërë që të lëkundet paksa koalicioni qeveritar. AAK-PDK-NISMA e AKR nuk ndajnë të njëjtat mendime sa i përket temave të ndjeshme, sidomos taksës 100% ndaj Serbisë.
Ky dyshim u rrit edhe më tepër gjatë mbrëmjes së kaluar ku kryetari i PDK-së, Kadri Veseli propozoi që Serbisë t’i pezullohet taksa 100% për 120 ditë. Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar profesorin universitar, njëherësh analistin, Milazim Krasniqi.
Krasniqi ka cilësuar se problemi me kërkesën e SHBA-ve për heqjen e taksës, është vetëm maja e Ajsbergut të mospajtimeve dhe rivaliteteve që ekzistojnë brenda koalicioni qeveritar. Sipas Krasniqit katër partitë në koalicion AAK, AKR, NISMA e PDK ka kohë që ndjekin politika separatë, për hesape të veta dhe jo për politike të bashkërenduar të një qeverie që zbaton një program qeverisës unik.
“Shikoni politikat në arsim, që nga punësimet partiake e deri te provokimet e universiteteve publike dhe e shihni! Presioni i SHBA-ve për taksën ka mbërritur në pikën kritike, pothuajse është shndërruar në ultimatum. Nuk besoj se mund ta përballojnë njësoj këtë presion të gjitha partitë e koalicionit qeveritar. Pres që PDK të reflektojë e të ndërpresë këtë gjendje ankthioze të qeverisë në raport me SHBA-të. A do të akceptojë Haradinaj kursin e ndryshuar të PDK-së apo do të bjerë qeveria, mbetet që të shihet. Nga aspekti pragmatik, mund të pritet që edhe Haradinaj të reflektojë, por nëse e kalkulon se fiton më shumë nga rënia, mund ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur nëse ekziston mundësia e zgjedhjeve në këtë kohë, profesori Krasniqi ka deklaruar se zgjidhja më e mirë në këtë sfond shumë të keq, ku idetë për shkëmbimin e territoreve e kërcënojnë ekzistencën e shtetit, është shkuarja në zgjedhje.
“Jo vetëm qeverisja, po edhe mbarë shoqëria është e bllokuar. Shikojeni valën e grevave dhe protestave të provokuara nga segmente të qeverisë, që po e shpijnë vendin drejt kolapsit dhe e kuptoni se zgjedhjet mund të ofrojnë të vetmen zgjidhje”, ka shtuar Krasniqi.
Krasniqi poashtu ka shtuar se edhe nëse qeveria nuk bie, ajo nuk ka kapacitete të realizojë programin që e ka proklamuar.
“Në këtë koalicion më së shumti kanë fituar partiqkat e vogla, AKR dhe Nisma. Ato kanë marrë pushtet të pamerituar dhe e kanë debalancuar qeverisjen krejt. Tash kjo formë e qeverisjes, në të cilën partiqkat e vogla më shumë zhvatin se sa që kanë kapacitete të punojnë, ka ardhë në pikën kritike”, ka përfunduar Krasniqi.
Por, sipas analistit politik, Imer Mushkolaj është pikërisht Partia Demokratike e Kosovës e cila ka traditë prishjen e koalicioneve qeveritare në momentin kur nuk i realizohen qëllimet.
“Zgjedhjet e reja nënkuptojnë zvarritje të procesit të dialogut, për ç’gjë nuk janë të interesuara as SHBA-të, as BE-ja. PDK ka traditë në prishjen e koalicioneve qeveritare kur nuk i realizohen qëllimet dhe mund të ndodh që edhe kësaj here të jetë ashtu”, ka thënë Mushkolaj për Indeksonline.

Sipas të njëjtit, taksa nuk duhet të jetë arsye e prishjes së koalicionit qeverisës.
“Me një qasje më racionale Qeveria do të mund të gjejë zgjidhje. Kërcënimet për prishje koaliconi bëhen me qëllim që Haradinaj të ndërrojë mendje. Nëse pezullimi ose heqja e taksës nënkupton njëfarë kompromisi, atëherë duhet parë se çfarë ofron Serbia në këmbim të kësaj, brenda një pezullimi të afatizuar të taksës. Se a do të ketë zgjedhje të reja vendos vetëm një person– Hashim Thaçi”, ka përfunduar Mushkolaj./Indeksonline/