Ja sa persona janë pajisur me patentë shofer në Kosovë
Marrja e patentë shoferëve nga të rinjtë në Kosovë po konsiderohet të jetë një nga gjërat esenciale, e kjo me dëshirën që të aftësohen për të drejtuar automjetin.
Udhëheqësit e Divizionit për Patentë Shoferë pranë Ministrisë së Infrastrukturës, Burim Deliu ka thënë për Indeksonline se gjatë këtij viti janë pajisur me patentë shofer 1 980 kandidatë nga e gjithë Kosova.
“Gjatë muajit janar në Kosovë janë pajisur 1 980 kandidatë”, ka thënë Deliu.
Sipas tij, gjatë vitit 2018 kanë kryer provimin për patentë shofer 47.737 kandidatë, të cilët tashmë janë të aftë që të dalin në komunikacion. Interesimi për pajisje me patentë shofer është i madhe sidomos nga moshat e reja të cilët me arritjen e moshës mund të aplikojnë për të marr patentë shoferin.
“Mosha mesatare e personave që kanë marr patentë shofer në Kosovë është nga mosha 19 vjeçare deri në moshën 24 vjeçare” është shprehur Deliu. Në anën tjetër, më shumë patentë shofer marrin meshkujt, ani pse me shumë pak dallim në përqindje nga femrat. “56% janë meshkuj kurse 44% janë femra, përafërsisht të cilët kanë marr patentë shofer”, ka përfunduar ai.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se kjo shifër e personave që kanë marr patentë shofer në Kosovë është e ulët. “Tu e pas parasysh moshën rinore që e ka Kosova edhe kandidatët të cilët i nënshtrohen provimet, kalueshmëria është e ulët, do të thotë nuk e mbërrin 45%. Prej krejt Kosovës për një muaj nuk janë shumë që e kalojnë provimin”, është shprehur Dedaj.
Ai ka deklaruar se në rast se kjo nuk e kalon 50% atëherë mund të konsiderohet si ngecje nga ana e edukimit që ata marrin për pajisje me patentë shofer. “Në rast se kalueshmëria nuk e kalon 50% atëherë mendojë që është ngecje nga ana e edukimit nga ana e institucioneve tona. Nëse bëjnë krahasim me shtetet e Evropës, kalueshmërinë e kanë 60% edhe 70%”, ka thënë Dedaj.
Në anën tjetër, ky i fundit konsideron se të rinjtë të cilët janë pajisur me patentë shofer në Kosovë janë të aftë të dalin në komunikacion, pasi që kanë përfunduar testet e nevojshme. “Nëse kandidatët i kanë kaluar të gjitha proceset e pjesës teorike dhe praktike, sigurisht që janë të aftë për vozitje”, ka thënë ai.
Ndryshe, Dedaj ka folur edhe në lidhje me aksidentet në Kosovë duke u shprehur se kujdesi i qytetarëve është esencial. Madje, ai ka marr shembull se si në kohë me borë shoferët kanë treguar më shumë kujdes, ku si rrjedhojë gjatë muajit janar ka rënë numri i aksidenteve të rënda apo me fatalitet krahasuar me muajt e tjerë të vitit.
“Janari ka qenë me plotë borë, i tërë janari ka qenë kështu dhe normalisht që drejtuesit e automjeteve në raste të borës e kanë një kujdes të shtuar dhe ndodhin 40 aksidente po asnjë me fatalitet vetëm me dëmtime trupore e materiale. Do të thotë, nuk është si vitin e kaluar që nuk ka pasur borë por ngrica e që në këto raste shoferët nuk i kushtojnë shumë kujdes, si në ura, male edhe drejtuesit e automjeteve lëshohen në aventura”, ka përfunduar Dedaj./Indeksonline/