Remi: Humbja e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakif Zejnullahut, goditja më e rëndë për vendin
Në 22 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, sot është mbajtur një akademi përkujtimore, ku morën pjesë shumë personalitete të vendit.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi në fjalimin e tij tha se sot 22 vite më parë i gjithë kombi përjetoi një ndër goditjet më të rënda, pasi humbi komandantin me dy personalitetet më domethënëse të luftës sonë për liri, demokraci e pavarësi.
Sipas tij, atë ditë Kosova humbi drejtuesit emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Indeksonline.
“Lufta e popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci ishte shekullore dhe daton nga fillimi i shekullit të kaluar, ku padrejtësisht territoret shqiptare mbeten jashtë shtetit zyrtar shqiptar. Lufta e UÇK-së përfundimisht hapi rrugën dhe perspektivën për jetë më të mirë të shqiptarëve në trojet e veta në gadillushin ballkanik. Lufta e UÇK-së në fund të shek. 20 është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për popullin tonë por edhe në marrëdhëniet ballkanike, evropiane e botërore”, ka theksuar Remi.
Sipas tij, komandanti Zahir Pajaziti, nismëtar i luftës së UÇK-së ishte vizionari dhe strategu i luftës çlirimtare, i cili reflektonte zotësi, komunikim, afrim e bashkëpunim me të gjitha shoqëritë që më vonë do të vinin si mbështetje e fuqishme për liri.
“Komandanti Pajaziti ka qenë organizator i ushtrimeve ushtarake, operatori kryesor dhe ndërtuesi i strategjisë origjinale që ushte e pakapshme për armikun, strategji që ishte dhe mbete një model origjinal i ndërtuar nga morali dhe edukata e fortë. Zahir Pajaziti është figura qendrore e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ishte fanar ndër shokë. Nismat e tij ishin të çmuara, ai dëshmoi një virtyt të lartë prej strategu dhe si i tillë do të mbete gjithmonë në historinë tonë shqiptare e kombëtare”, ka shtuar Remi.
Ai vlerësoi se madhështia e rënies së komandantit Zahir Pajaziti, përkrah dy heronjve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, do të mbetet në histori.
“Është e pamundur të thuhen të gjitha veprat e Hakifit, kurse Edmondi është dëshmi e tejkalimit të rretheve krahinore e territoriale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha tutje Remi. /Indeksonline/