75 Mall Live Search
22:43 / E Enjte, 31 Janar 2019 / indeksADMonline

Gani Dreshaj “godet” grevistët, thotë se janë xhokerë për të penguar punën e Haradinajt

Deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj ka thënë se është e turpshme dhe e mjerë që mësimdhënësit të mbyllin dyert për fëmijët për shkak të disa personave të cilët po i pengon puna e kryeministrit Haradinaj.

Ai thotë se për shtresën e familjeve që punojnë në mënyra të ndryshme për të siguruar bukën e gojës do t’i ndihmonte për çdo lloje greve, por jo edhe për këtë rast të mësimdhënësve, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, Qeveria e Haradinajt po rritë shpresat për të ardhmen.

“Dy ditë më parë në Istog një baba i 5 fëmijëve vdiq duke punuar në traktor për të siguruar bukën e gojës. Vdekje të tilla fatkeqësisht kanë ndodhur shpesh në Kosovën tonë. Kjo shtresë e shoqërisë do të kishte përkrahjen time për çdo lloj greve dhe forme për të ndryshuar këtë situatë. Por, është e turpshme, e mjerë dhe e kotë që mësimdhësit të mbyllin dyert për fëmijët tanë për shkak të disa personave të cilët po i pengon puna e kryeministrit dhe po tentojnë çdo formë që të ndalin këtë vrull të madh të Haradinajt. Rrahman Jashari dhe të gjithë Rrahmanët tjerë nuk guxojnë më të jenë xhokerë të askujt, duke bërë dëm çdo ditë tek fëmijët e pafajshëm të cilët edhe ashtu përballen me mësimdhënie të dobët. Qeveria e Ramush Haradinajt ka rritur pagat për shumë shtresa të shoqërisë, po rrit shpresat për të ardhme, për jetë e perspektivë”, ka deklaruar Dreshaj./Indeksonline/