Veseli kërkon të ndërpriten të gjitha grevat, Haradinaj premton zgjidhje për ta
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj kanë mbajtur një konferncë të përbashkët pas arritjes së marrëveshjes për ndaljen e grevës.
Kryeparlamentari Veseli u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të sektorit publik që vazhdojnë të jenë në grevë, që të ndalojnë atë, raporton Indeksonline.
“Siguroj punëtorët e doganës se statusi i tyre nuk do të preket. I ftoj kolegët e sektorit publik ti kthehen kontributit dhe të ndërtojmë një shtet të fuqishëm. Falënderoj kryeministrin për kontributin e jashtëzakonshëm, pasi nxënësit e studentët do të fillojnë mësimin të hënën”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq, kryeministri Haradinaj duke folur për Ligjin për Paga, ka vlerësuar se po punohet shumë në përgatitjen e këtij ligji.
““Ne asnjëherë s’i kemi keqkuptuar shqetësimet e tyre ne gjithëherë i kemi mirëkuptuar. Nuk ka qenë e mundur të bëhet marrëveshja me SBASHK-un as pa ndihmën e kryetarit të Kuvendit. Është e ditur që Qeveria është e interesuar t’i japë përgjigje të gjitha kategorive. Ne jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë. Mendoj që jemi gati për nesër, falënderoj sindikatën dhe urime””, ka theksuar Haradinaj.
Nxënësit i uroi edhe kryetari i SBASHK-ut, Jasharaj, i cili tha se sot u arrit marrëveshja që mësimi në të gjitha shkollat të fillojë nga e hëna. /Indeksonline/

