Policia jep detaje për grabitjen e dy bankave në Pejë që u kryen brenda 5 minutave!
Brenda 5 minutave në qytetin e Pejës kanë ndodhur dy grabitje, e që sipas hetimeve të para të policisë, dyshohet të jetë personi i njëjtë.
Indeksonline ka raportuar i pari, teksa ka njoftuar lexuesit e saj se rreth orës 18.00 është grabitur “Western Union”, dhe më pas “Iute Credit”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, thotë se personi i dyshuar sipas punonjëses së “Ëestern Union”, ka arritur që nga kjo pikë të marrë hiç më pak se 4mijë e 500 euro, derisa në “Iute Credit”, nuk ka arritur të marrë të holla.

“Rreth orës 17:55, Policia ka pranuar një informacion se në afërsi të rrugës “Ëestern Union”, ka ndodhur një rast i grabitjes së armatosur. Patrullat policore iu kanë përgjigjë rastit duke dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Është kontaktuar viktima femër e cila është deklaruar se një person i dyshimtë për të cilin ka dhënë përshkrimin e tij me një kapelë të maskuar dhe një shallë, me kërcënimin e armës ka kërkuar nga punëtorja e këtij filiali t’ia japë të gjitha paratë. Sipas saj, ajo ia ka dhënë 4 mijë e 500 euro”, ka thënë zëdhënësi Xhevat Ibra për Indeksonline.
Kështu, vetëm 5 minuta më pas Ibra thotë se ka ndodhur grabitja tjetër në “Iute Credit”.

“Në orën 18.00, ka ndodhur një rast tjetër i grabitjes në udhëkryqin në qendër të qytetit që lidhë spitalin, rasti ka ndodhur në filialin “Iute Credit”, në rrugën “Mbretëresha Teutë”. Nga përshkrmi që është dhënë mund të jetë i njëjti person i veprës së kryer më herë, por që në këtë filial nuk ka arritur të marrë para. I njëjti ka kërcënuar punonjësen se nëse e lajmëron rastin në polici do ta pësonte keq”, ka treguar tutje Ibra.

Ai ka bërë me dije se posedojë përshkrimin e personit të dyshimtë, dhe se të gjitha njësitet policore janë shpërndarë në zonë. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. /Indeksonline/