VV dhe LDK kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për të dhunuarën në Drenas
Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës
Nga njoftimet dhe raportimet publike rastet e dhunimeve dhe abuzimeve seksuale tek të miturit dhe tek vajzat e gratë brenda institucioneve të Kosovës nuk janë më të izoluara. Mbrojtja e integritetit fizik dhe moral të miturve, vajzave dhe grave është përgjegjësi ligjore e Ministrive të linjës deri tek agjencitë ligj zbatuese që mbikëqyrën nga Qeveria, Kuvendi, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor dhe Avokati i Popullit.
Rasti në Komunën e Drenasit shpërfaq një sistem të brishtë të parandalimit, adresimit, mbrojtjes së viktimës dhe dënimit të abuzuesit me detyrë zyrtare në administratën publike.
Deri më tani janë trajtuar e shqyrtuar problemet që institucionet i kanë me trajtimin e rasteve të raportuara për abuzime e dhunime. Por po kuptojmë se sistemi i mbrojtjes ka rreziqe më të mëdha nga ata që janë brenda tij si zyrtarë përgjegjës për mbrojtjen, raportimin dhe këshillimin e të miturve dhe/ose vajzave dhe grave.
Andaj duke pas parasysh se është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta adresojnë me urgjencë këtë fenomen, deputetët e opozitës, Grupi Parlamentar i LDK-së, VV-së dhe Alternativës, kanë dorëzuar sot kërkesës për seancë të jashtëzakonshme lidhur rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.
Seanca është kërkuar të mbahet nesër me datë 08 shkurt 2019, në orën 12.00.