Haradinaj mbledh përgjegjësit institucional për rastin e të miturës në Drenas
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim Ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, Ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqin, Drejtorin e Policisë Rashit Qalaj, prej të cilëve ka kërkuar të ndërmerren të gjitha veprimet për të zbardhur të vërtetën lidhur me rastin e të miturës në Drenas.
Haradinaj ka thënë se rasti i abuzimit seksual të miturës në Drenas duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm.
“Sot, kam pritur në takim pune Ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, Ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, Kryeshefen e Inspektoratit Policor Miradie Kelmendi dhe Kryeinspektorin e Arsimit Defrim Gashi, nga të cilët kërkova që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi. Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit”, ka shkruar Haradinaj.
Njëkohësisht, ai ka kërkuar nga të gjitha mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen./Indeksonline/
