75 Mall Live Search
16:55 / E Diele, 10 Shkurt 2019 / indeksADMonline

“Institucionet vendore nuk patën gatishmëri të kërkojnë llogari për vrasjen e Monit e Arbenit”

Në 12-vjetorin e vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit, Lëvizja Vetëvendosje tha se në protestën e paralajmëruar si paqësore, Policia e UNMIK-ut e kishte shndërruar atë në gjakderdhje. Familjarë të Monit dhe Arbenit, edhe sot e asaj dite kërkojnë drejtësi për ta, e sipas tyre institucionet nuk janë të gatshme që të kërkojnë llogari për këto vrasje.

Vëllai i Mon Balajt, Fahriu thotë se për këta 12 vjet, institucionet e vendit nuk shprehën gatishmërinë që të kërkojnë llogari për vrasjen e vëllait të tij.E për këtë ngjarje Balaj tha se UNMIK-u  as që ka dashur të dëgjojë më. Ndërsa, ka përmendur që këta të fundit kanë dashur kompensim, për të cilën tha se si familja janë ndjerë të nënçmuar, pasi si familje asnjëherë, siç thotë ai, nuk kanë kërkuar kompensim.

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje  bëri homazhe te pllaka përkujtimore për aktivistët e vrarë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, në 12-vjetorin e protestës së 10 shkurtit 2007. 

Ndryshe, 12 vjet më parë, nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, u mbajt protesta ku kërkohej vetëvendosje, ndërsa Policia e UNMIK-ut, konkretisht ata të regjimentit rumun e ukrainas, shtënë me armë ndaj protestuesve, duke lënë të vdekur 2 protestues dhe mbi 80-të të plagosur.