Punëtorët e KEK-ut kërkojnë nga Presidenti mosdekretimin e Ligjit për Paga
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK) protestuan para Qeverisë së Kosovës për kundërshtimin e Ligjit të Pagave, të cilët kërkuan nga Presidenti i Kosovës mos dekretimin e këtij ligji, i cili është miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetari i Sindikatës së re të KEK-ut Nexhat Llumnica, duke thënë se kjo korporatë është futur në Ligjin për Paga padrejtësisht, pohoi se Qeveria dhe Kuvendi, në vend që ta stimulojnë këtë korporatë të fuqishme në Kosovë, po dëshirojnë ta shkatërrojnë.
Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Sindikatës së KOSTT, ku kryetari i kësaj sindikate Adem Gashi, ka thënë se kërkesat e punëtorëve të KOSTT janë të ngjashme sikur të atyre në KEK.
Gashi ka thënë se nuk do të rrinë duarkryq deri në realizimin e kërkesave. Ndërsa, përkrah kësaj proteste të punonjësve të KEK –ut kanë qenë edhe drejtues Federatës Sindikale të PTK-së.
Lamih Balaj, kryetar i Federatës, ka thënë se gabimi me Ligjin e Pagave duhet të rregullohet, në të kundërtën të ashpërsohen grevat dhe protestat.Ndërsa, edhe kryetari i BSPK Avni Ajdini, i cili mori pjesë në protestë, ka thënë se kërkesat e punëtorëve të KEK janë legjitime dhe të drejta, ngaqë nuk po kërkojnë lëmoshë por ‘djersën’ e punëtorëve.
Në fund, Llumnica ka kërkuar edhe një takim me presidentin Hashim Thaçi për prezantimin e kërkesave të arsyeshme nga Sindikata e Re e KEK-ut.