Mësohet arsyeja e vrasjes në Ferizaj, ishin në hasmëri qe një kohë të gjatë!
Mentor Aliu është personi që është vrarë sot në Ferizaj si pasojë e të shtënave me armë që kanë ndodhur në rrugën “Ahmet Kaçiku”, në afërsi të stacionit të autobusëve.
Indeksonline mëson se motivi i vrasjes është ‘hakmarrja’.
“Vëllai i Mentorit e ka vra një person para 3 vite. Tash këta janë hakmarrë për këtë vrasje”, ka thënë ky burim.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Ferizajt. Zëdhënësi, Agim Gashi ka treguar detaje të këtij rasti.
“Po, rreth orës 12:30 ka ndodhur rasti. Bëhet fjalë për një gjuajtje me armë zjarri, një person ka ndërruar jetë sipas mjekut kujdestar, është i moshës 25-30 vjeç, policia po merret me rastin”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Gjykata në Ferizaj në vitin 2017 kishte shpallur fajtor Meriton Aliun (vëllain e tashmë të ndjerit, Mentorit) për vrasjen e 20 vjeçit Samir Rexha.
Aliu u dënua me 15 vjet burgim rreth vrasjen të ndodhur në gusht të vitit 2016.
Dëshmitarë, gjatë gjykimit, kishin treguar se Aliu e Rexha kishin hyrë duke biseduar në hyrje të një banese në Rrugën “Rexhep Bislimi” dhe më pas kishin dëgjuar të shtëna që i shkaktuan vdekjen Rexhës. /Indeksonline/