Kuvendi në Shqipëri mban sot seancë në orën 17:00
Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare në legjislativin shqiptar ka vendosur në mbledhjen e sotme që në orën 17:00 të zhvillojë një seancë plenare, me gjasë për të zëvendësuar atë të javës së kaluar, që u anulua për shkak të protestës së paralajmëruar të opozitës.
Në këtë seancë pritet të votohet për miratimin e strukturave organizative të KLGJ-së dhe KLP-së, që ishin njoftuar për të enjten.
Menjëherë pas njoftimit për mbledhjen e seancës plenare ka reaguar kryetari i grupit të dorëhequr parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili përmes rrjeteve sociale e ka quajtur mbledhje në ilegalitet të një Kuvendi ilegal.
“Pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan dyert hyrëse, tani kanë filluar ta mbledhin dhe në ilegalitet. Seancën e së enjtes po kërkojnë ta mbledhin fshehtas sot në orën 17:00. Sa mendoni se do zgjasni kështu?! Tik-tak…”, shkruan Paloka.