75 Mall Live Search
21:32 / E Hënë, 04 Mars 2019 / indeksADMonline

Periudha nëntë mujore për implementimin e Ligjit për Pagat s’ka të bëjë me mungesë të buxhetit

Javë më parë Kuvendi i Kosovës, me 63 vota për dhe 1 abstenim, ka miratuar Ligjin për Paga. Mirëpo, për implementimin e tij do të duhet të kalojnë edhe nëntë muaj të tjerë.

E gjithë kjo për shkak të kohës që marrin hartimi i akteve nënligjore.

Këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna, për Indeksonline ka mohuar se vonesa e implementimit të këtij ligji ka të bëjë me mungesë të buxhetit.

“Nuk munden ligjet pa akte nënligjore të implementohen. Janë diku 92 akte nënligjore që duhet me u sjellë për tri ligjet e reformës së administratës. Kësaj i duhet kohë, andaj edhe për atë në vet këto ligje është paraparë 6 muaj kohë për aktet nënligjore. Kjo nënkupton se duhet me u sjellë aktet nënligjore tani ligji të fillojë të zbatohet  dhe kjo është arsyeja pse është lënë kjo periudha. S`ka të bëjë me mungesë të buxhetit”, tha Rafuna në një prononcim për Indeksonline.

Mirëpo, përveç kësaj, nënkryetarja e komisionit për Administratë Publike, Shqipe Pantina, thotë se disa rritje që janë paraparë me Ligjin për Pagat nuk janë pjesë e Buxhetit për vitit 2019.

“Ligji për Paga hynë në fuqi 9 muaj pas miratimit, për arsye se qeveria dhe institucionet tjera publike duhet të hartojnë një varg rregulloresh dhe akte tjera nënligjore për zbatimin e tij por edhe për shkak se disa nga rritjet që parashihen me këtë ligj nuk janë pjesë e Ligjit për Buxhetin të vitit 2019”, deklaroi Pantina për Indeksonline.

Ndryshe, Ligji për Paga ka hyrë në fuqi në mënyrë të heshtur për shkak se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar atë brenda afatit ligjor.