75 Mall Live Search
09:28 / E Martë, 05 Mars 2019 / indeksADMonline

Hoti: Haradinaj e ka shkelur kushtetutën, Veseli spektator

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese.

Ai deklaroi se presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj po shkelin kushtetutën, ndërsa kryeparlamentari Veseli është vetëm spektator.

“Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë tek presidenti, e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese. Presidenti po e shkel çdo ditë kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve. Kryeparlamentari është vetëm spektator, bënë fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN”, shkroi Hoti në Facebook.

Ai theksoi se për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jo kushtetuese, presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri tjetrit.

“Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”, vijon Hoti, duke shtuar se zgjedhjet e lira janë e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë.