75 Mall Live Search
12:06 / E Martë, 05 Mars 2019 / indeksADMonline

Chabert: Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Frankofonisë

Ambasadori francez, Didier Chabert, ka thënë sot se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, e ka kohën që të jetë anëtare me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Frankofonisë.

Këtë deklaratë, Chabert e bëri në një konferencë për media me rastin e hapjes së Javës së Frankofonisë, që do të zgjasë prej 5 deri më 31 mars. Për këtë, ai tha se samiti i ardhshëm do të mbahet pas dy vjetëve, ndërsa duhet të përmbushen dy kushte.    

Së pari, siç tha ai, Kosova duhet të kandidojë për shtet anëtare me të drejta të plota dhe të përmbush kriteret për të marrë atë status.

 Chabert, tha se është nder dhe kënaqësi që të marrë pjesë në hapjen e Javës së Frankofonisë, pasi që sipas tij, Frankofonia është pasarelë e humanizmit.

Ai tha se ky vit do të prezantohet më një ngjarje shumë të veçantë, siç është hapja e një ekspozite franceze në Prishtinë.

“Të bashkuar rreth frankofonisë, ne jemi krenar t’iu  paraqesim një program të pasur që ka të bëjë me gjuhën frënge. Kosova ka shënuar status dhe është bërë anëtare e asoociuar që nga viti i kaluar dhe është tërësisht normale që për ne Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në aleancën frankofone”, tha ai.

Ai tha se Franca është shteti i katërt më i fortë në fushën e ekonomisë. Për këtë, ai shtoi se të mësuarit e gjuhës frënge u mundëson njerëzve vend të punës, mundësi për të qenë në kontakt me kompani që vijnë në Kosovë e të tjera, duke i dërguar ata drejt vendeve të reja të punës.

Kurse, drejtori gjeneral në MPJ, Albert Prenkaj, tha se Kosova ka shënuar disa suksese në bashkëpunim me shtetet frënge. Ai tha se është duke u bërë një punë e mirë në sensibilizimin e të rinjve për të mësuar gjuhën frënge. Sipas tij, anëtarësimi i UP-së në Universitetin e Frankofonisë, themelimi i klubeve të biznesit frankofone, janë disa nga sukseset që Kosova ka shënuar.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, u shpreh se është mirë që Kosova si anëtare e asoociuar do të marrë pjesë në shënimin e Javës së Frankofonisë. Shefi i misionit belg në Kosovë, Luis Servae, tha se ndarja e vlerave të përbashkëta është një nga vlerat kryesore që ngërthen në vete java e frankofonisë. Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija Deva, tha se programi është shumë i pasur.

“Vet bashkëpunimi i Ambasadës Franceze në Kosovë ka dhënë rezultate të mira. Unë kisha sugjeru që edhe ne politikanët të marrim disa kurse së paku bazike për mësimin e gjuhës franceze”, u shpreh ajo.