Boateng i pakënaqur me vendimin e Low, priste lamtumirë ndryshe
Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low gjatë një interviste për “Bild” ka bërë të ditur se Jerome Boateng, Mats Humels dhe Muller nuk janë më në planet e tij.
Këtë vendim të trajnerit nuk e ka pritur aspak mirë mbrojtësi i Bayern Munchen, Jerome Boateng, shkruan Indeksonline.
Edhe pse ka thënë se e respekton vendimin e tij, ai pohon se nuk e ka pritur një lamtumirë të tillë pasi që e meritonin më mirë.
“Ditën e sotme trajneri i kombëtares Joachim Low më tha në bisedë të sinqertë se nuk do të jem më pjesë e përfaqësueses gjermane. Ai dëshiron t’u japë një shans emrave të rinj për t’u bërë gati për turnetë e radhës”.
“Jam i trishtuar nga ky lajm pasi ka qenë ndjesia më e bukur për mua që të përfaqësoj vendin tim. Gjithsesi, unë e respektoj këtë drejtim që po merr kombëtarja dhe e kuptoj vendimin e trajnerit”.
“Kam qenë i ri vetë dhe më është dashur që lojtarët më të mëdhenj në moshë të më linin hapësira. Personalisht jam i bindur se mund të vazhdoj të luaj në nivelet më të larta dhe do ta bëj këtë në vitet e ardhshme”.
“Do të kujtoj gjithmonë me shumë kënaqësi momentet që kam kaluar te kombëtarja gjermane. Kam qenë gjithmonë pafundësisht krenar kur kam veshur fanellën e kombëtares dhe veçanërisht kurrë s’do ta harroj atë verë të vitit 2014-ës”.
“Gjithsesi dëshiroja një lamtumirë tjetër për ne. I uroj fat skuadrës në të ardhmen!” /Indeksonline/