Haradinaj: Jasharët dhanë krejt çka kishin, ia kemi borxh komandantit të jemi të bashkuar
Me rastin e shënimit të 21-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, Kuvendi i Kosovës sot mbajti një seancë solemne, ku u përkujtua edhe një herë lufta e lavdishme për lirinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar veprën dhe sakrificën e familjes Jashari në krye me komandant Adem Jasharin, falë luftës së të cilëve ne sot gëzojmë lirinë.
“Jasharët dhanë krejt çka kishin për ne, dhe atë që është e jona sot. Ai zgjohej kur tjerët bini, kur disa kërkonin shtigje, ai çelte rrugë. Duhet të bashkohemi për të drejtën tonë, sepse ia kemi borxh atdheut, ia kemi borxh komandantit. Kosova ka sot më shumë siguri dhe liri për veten, i bën me u ndje të lirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Prekazi ndryshoi historinë e kombit shqiptar dhe Kosova nuk do të kthehet pas, por do të fuqizohet.
“Lirinë e kemi arritur me vendosmëri dhe me mençuri. Ishim të patundur në luftë me armikun dhe partnerë me ata që na u ndodhën pranë – miqtë e lirisë sonë – NATO-n, ne krye me SHBA. Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë se janë hapur dilema e janë shtruar pikëpyetje për të ardhmen e këtij partneriteti. Sot, është dita t’i heqim këto dilema dhe t’i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje. Miqësia jonë me SHBA, aleanca jonë me botën perëndimore, janë vlera të shenjta të kombit tonë. Prandaj, janë të paprekshme, të pacenueshme. Janë të përgjithmonshme. Si vetë liria jonë, për të cilën ranë Jasharët e Prekazit dhe mijëra dëshmorë të tjerë. Ky është identiteti ynë civilizues, nga i cili nuk mund të heqim dorë, sepse kombet nuk mund të tjetërsohen”, tha ai.