Haradinaj fton deputetët të tregojnë qëndrimet e tyre për dialogun
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga deputetët që në seancën e sotme të tregojnë secili qëndrimet e tyre për dialogun me Serbinë.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme, e cila është thirrur me kërkese të Haradinajt, po diskutohet për ligjin dhe platformën e dialogut, raporton Indeksonline.
“Ligji për dialogun dhe platforma e kanë endin në këtë Kuvend dhe ftoj deputetët të shfrytëzojnë mundësinë të tregojnë pikëpamjet e veta, partitë të tregojnë qëndrimet e veta dhe në fund ti jepet mundësi të ruhet Kosova e 17 shkurtit. Të gjithë e keni mundësinë të jepni kontributin për një proces që na preokupon të gjithë neve”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas tij, dialogu ka ngjallë një debat jo vetëm në Kosovë por edhe në arenën ndërkombëtare.
“S’dua të elaboroj rëndësinë e ligjit për dialogun, është një debat i gjallë në Kosovë dhe arenën ndërkombëtare për proceset që na preokupojnë, prandaj kontributet e tuaja do të ishin ndihmese për ne, për këto dy tema me rëndësi për Kosovën në këtë etapë kohore që jemi. Kërkoj ng deputetët të fillojnë diskutimin për platformën, pushteti e mban përgjegjësinë e votimit se kur i kanë votat, gjatë ditës e kemi paraparë edhe korumin për votë, por me rëndësi është që derisa të votohet apo jo, të kemi pikëpamjet e juaja për këtë çështje”, ka përfunduar Haradinaj. /Indeksonline/