Ademi: Vokrrit i janë ofruar 5 poste, por e donte një post që nuk ekziston
Kryetari i FFK-së ka mohuar zërat se ai e ka larguar të birin e Fadil Vokrrit nga puna në Federatë.
Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur në zyrat e FFK-së, Ademi ka sqaruar gjithcka rreth kësaj situate.

Ai ka thënë se Gramozit ia kanë ofruar një kontratë të re, por për cudi ai nuk ka pranuar ta nënshkruaj. Tutje Ademi ka thënë se ata i kanë ofruar atij pesë pozita për punë deri tani, ku me të fundit është pajtuar por pastaj nuk është paraqitur fare ta nënshkruaj.
“Gramozi është anëtar i yni dhe ka bërë kontratë me ne. Ai është i mirëpritur në Federatë në çfarëdo pozite. Jo për përvojën që e ka, por si djalë i legjendës Vokrri, por edhe si një djalë i ri që është rritur në Evropë. Ia kemi ofruar një kontratë të re, por ai nuk ka pranuar ta nënshkruajë. Nuk e di përse. Por, ua përsëris së ai i ka dyert e hapura këtu”, ka thënë Ademi.
“Gramozi qe një kohë është i punësuar në Federatë, me një kontratë që ia kemi ofruar. Pozita është drejtor për marrëdhënie me jashtë. Sot e asaj dite Gramozi ka disa ditë që nuk po vjen në Federatë, ndoshta më pak se një muaj. Nuk e dimë se përse ai nuk po vjen. Jemi munduar t’ia japim postin më të mirë dhe që i përgjigjet ky post. Ndoshta është një post që nuk ju ka përshtatur”, ka shtuar Ademi.
“Ia kemi ofruar disa pozita. Drejtor i edukimit, drejtor i marketingut, drejtor i regjioneve, drejtor i garave, nuk e ka gjetur veten në këto pozita”, zbulon kreu i FFK-së.
Të mërkurën u raportua se Gramoz Vokrri është shkarkuar nga pozita e tij në Federatën e Futbollit të Kosovës. Por, kreu i futbollit kosovar Agim Ademi e ka mohuar një gjë të tillë.
Ndërsa sa i përket raportimeve të Llapit, që Federata i ka ofruar Prishtinës 38,000 euro premi para ndeshjes me Llapin, Ademi tha se të gjitha janë shpifje dhe se Prishtina ka marrë paratë të cilat i takojnë çdo klubi nga të drejtat televizive dhe për akademinë e futbollit.
“Prishtina i ka marrë 12,500 euro nga Digitalbi për të drejtat televizive dhe 8,000 euro për akademinë e futbollit, para të cilat i ndanë UEFA. Çdo klub ka të drejt ti kërkojë kur i nevojiten dhe Prishtina ka bërë kërkesë në atë kohë dhe i’a kemi transferuar paratë. Gjithcka në FFK është transparente sepse nuk punojmë më para në duar” deklaroi Ademi. /IndeksOnline/