75 Mall Live Search
11:43 / E Shtunë, 09 Mars 2019 / indeksADMonline

Thaçi tregon detajet për takimin që zhvilloi me zyrtarin e lartë amerikan

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka treguar për takimin që zhvilloi sot së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj,  me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.

Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, ka shkruar Thaçi në Facebook.