“Ju lutem mos ma prishni shtëpinë”, përplasja mes policisë dhe banorëve në Tiranë
Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm banorët e një banese pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” kanë bllokuar rrugën duke u shtrirë për të ndaluar prishjen e banesës.
Gjykata ka dhënë vendimin që sipërfaqja e tokës ku është ngritur një godinë tre katëshe t’i kthehet pronarëve, ndërkohë që familjet që banojnë në këtë vend pretendojnë se kjo është abuzive.
Pronarët e ndërtesës thonë se kanë dokumente të rregullta dhe banojnë atje prej 70 vitesh. Ata thonë se toka është në pronësi te shtetit ndërsa tregojnë dokumentet.

Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të hapur rrugën ndërsa janë shoqëruar disa nga banorët.
Ndërkohë që është dashur edhe ndërhyrja e zjarrfikësve për shkak të një zjarri që shpërtheu në ndërtesën që do të shembet.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, nisur nga një situatë e zhvilluar sot në Tiranë, është i detyruar të bëjë për disatën herë të njëjtin sqarim: IKMT është akronimi i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Nuk ka lidhje dhe nuk ushtron asnjë detyrë dhe përgjegjësi mbi institucione të tjera që mund të veprojnë për një arsye, apo tjetër.
IKMT i ka të përcaktuara me ligj veprimet e saj dhe ndërhyrja e ndodhur sot në Tiranë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” nuk është kompetencë e IKMT.

