Përhapja e zjarreve alarmante, për 10 ditë mbi 100 raste vetëm në regjionin e Prishtinës
Kohëve të fundit është rritur numri i zjarreve në territorin e Kosovës. Ato përveç se janë duke shkaktuar dëme të mëdha në prona publike dhe private, rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve të vendit.
Njohësi i çështjeve emergjente, Tahir Ahmeti, në një prononcim për Indeksonline tha se zjarret kanë filluar të dalin nga kontrolli dhe gjendja është alarmante.
Tahiri thotë se “ndihmë” për rritjen e tyre është duke u bërë edhe koha e thatë dhe pa të reshura.
“Vërtet zjarret e ditëve të fundit janë vërtet alarmante, dhe kanë filluar të dalin nga kontrolli. E gjithë kjo vatër e madhe e zjarreve po mundësohet edhe nga koha e thatë dhe pa të reshura që po mbretëron në vendin tonë tash e një kohë. Këto zjarre janë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në fusha bujqësore dhe në pyje, gjithashtu duke rrezikuar pronat private dhe publike por çka është më shqetësuese, këto zjarre me përhapjen e shpejtë të tyre po rrezikojnë edhe vet jetën e qytetareve të vendit”, tha ai.
Sipas tij, ndezja e këtyre zjarreve, në shumica e rasteve është e qëllimshme dhe po bëhet nga vet pronarët e tokave bujqësore.
“Në masë të madhe këto janë zjarr vënie e qëllimshme e pronarëve të tokave bujqësore, apo nga pakujdesia e ndezjes së zjarreve të hapura në fusha dhe pyje. Mos të harrojmë me cekë se duet pas parasysh që sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, inicimi i qëllimshëm i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm, është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite”, shtoi Tahiri.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, ka bërë të ditur se deri më tani, në muajin mars kanë intervenuar në më shumë se 100 raste në pjesën që e mbulon kjo brigadë.
“Në rajonin që mbulon Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, vetëm në mars kemi pasur mbi 100 intervenime për fikje të zjarrit, ndërsa në muajin shkurt 188 mirëpo duke përfshirë edhe intervime të tjera. Ne intervenojmë ku do që kemi mundësi dhe persona. Më shumë se 80% e rasteve kanë qenë zjarre fushore dhe malore”.
Zeka tha se intervenojnë edhe në raste të tjera, sa herë që ka nevojë dhe mundësi.
“Kemi raste kur intervenojmë me ekipe edhe jashtë regjionit që mbulon kjo Brigadë, një ndër rastet e fundit është edhe në kufirin Kosovë-Serbi”, tha Zeka për Indeksonline.
E lidhur me situatën e krijuar kohëve të fundit ka reaguar edhe Policia e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Policia apelon që qytetarët të mos ndezin zjarre në vende të hapura.
“Duke iu referuar rasteve dhe incidenteve të fundit të zjarr vënieve në disa rajone të vendit, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që në asnjë mënyrë mos të ndezin zjarre në vende të hapura, qoftë në prona private, me qëllim të pastrimit të arave përmes ndezjes së mbeturina në to, pasi që po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”.
Edhe Policia e pranon se në disa raste zjarr vënia ka dalë nga kontrolli.
“Bazuar në atë se disa nga rastet e fundit të zjarr vënieve kanë dal nga kontrolli duke shkatërruar sipërfaqe të tëra të maleve, fushave dhe plantacioneve të mbjella me pemë, objekte afariste dhe hapësira tjera duke kërcënuar direkt pasurinë dhe jetën e njerëzve”, thuhet në komunikatë.
Deri më tani nga përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për ndonjë të lënduar. /Indeksonline/