Protesta në Shqipëri, tre policë të lënduar dhe disa protestues
Policia e Shtetit të Shqipërisë informon se tre efektivë policie janë plagosur me sende të forta gjatë protestës që u mbajt para parlamentit. Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të zmbrapsur turmat e dhunshme.
Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.
