Aksidentet në trafik, për dy muaj 14 të vdekur
Aksidentet e shkaktuara në trafik janë bërë shqetësuese në Kosovë. 14 persona kanë humbur jetën në dy muajt e parë të këtij viti.
Statistikat e policisë tregojnë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (janar-shkurt 2018) nga aksidentet në trafik jetën kishin humbur 11 persona.
Rritja e numrit të aksidenteve me pasoja fatale ka alarmuar institucionet përkatëse. Përveç humbjes së jetëve të njerëzve, shumë të tjera kanë mbetur të lënduar.
“Këtë vit (janar-shkurt) kemi regjistruar 12 aksidente fatale, prej të cilave jetën kanë humbur 14 persona. E në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kishin ndodhur tetë aksidente me fatalitet dhe humbën jetën 11 persona”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Indeksonline.
Policia ka njoftuar po ashtu se këtë vit kanë ndodhur gjithsej 1 mijë 991 aksidente ndërsa janë shqiptuar 10 mijë e 184 gjoba kundërvajtëse.
Kurse vitin e kaluar në muajt janar-shkurt, ishin gjithsej 2 mijë e 261 aksidente trafiku dhe u shqiptuan 53 mijë e 172 tiketa/gjoba.
Në mesin e aksidenteve të vitit 2019, 669 ishin me lëndime kurse numri i personave të cilët pësuan lëndime trupore ishte 1 mijë e 257.
Në të njëjtën periudhë kohore në vitin e kaluar ishin 859 aksidente trafiku me lëndime, e të lënduar si pasojë e këtyre aksidenteve mbetën 1 mijë e 816 persona.
Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion të kenë kujdes të shtuar, pasi që së fundi kanë ndodhur shpesh aksidente me pasoja fatale./Indeksonline/