Në një vjetorin e demarkacionit, Kurti thotë se u dhanë 8 mijë e 200 hektarë për një karrige!
Sot u bënë një vit që nga momenti kur në Kuvendin e Kosovës u ratifikua marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Pikërisht në këtë ditë, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se 8 mijë e 200 hektarë janë dhënë për një karrige.
Ai tha se si për ironi këta hektarë u dhanë pikërisht më 21 mars, në ditën e pyjeve, transmeton Indeksonline.
Kurti shtoi se nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar dhe se turpi i përket mashtruesit. Lideri i Vetëvendosjes theksoi se ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci.
Postimi i plotë:
8.200 hektarë për një karrige
Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi.
80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës.
Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor.
Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri.