75 Mall Live Search
15:06 / E Premte, 22 Mars 2019 / indeksADMonline

Pacientët detyrohen të blejnë edhe pajisje për mjekët në QKUK!

Qytetarët e Kosovës përveçse janë të detyruar të blejnë barërat kur shkojnë në spital ata duhet të blejnë edhe pajisje për mjekë.

Në klinikën e Gjinekologjisë pranë SSHKUK-së në Prishtinë shumë qytetarë po ankohen se po i blejnë vetë të gjitha barërat dhe pajisjet që duhen për të bërë një lindje, madje ata blejnë edhe pajisje për mjekët siç janë dorëzat dhe maskat.

Një qytetar i cili e ka dërguar për të lindur gruan e tij në Klinikën e Gjinekologjisë tregon për Indeksonline se mjekët i kanë dhënë një recetë ku në të janë përshkruar edhe barërat dhe pajisjet që duhet t’i blejë vetë para se gruaja e tij të hyjë në sallën e operacionit.

Në këtë recetë figurojnë edhe gjërat elementare siç janë gjilpërat, shiringat, kompresat sterile, fashat madje në të figurojnë edhe maskat për doktor që duhet t’i bartin ata gjatë operacionit.

Indeksonline ka kontaktuar me SSHKUK-së për t’i pyetur ata për mungesën e këtyre barërave por ata nuk kanë kthyer përgjigje as pas dy ditë pritjeje.

Gjithashtu Indeksonline ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë përgjigje në këtë pyetje, por edhe pse kanë premtuar që do të kthejnë përgjigje një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“I mora pyetjet tuaja dhe i dërgova menjëherë për komente në Departamentet përkatëse. Megjithatë, për shkak se administrata tashmë e kanë përfunduar orarin e punës dhe nuk mund të më sigurojnë të dhëna, do të ju lutesha që për përgjigje të prisni deri nesër”, kishte thënë për Indeksonline të merkurën, Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë.

Përveç kësaj problematike, shumë pacientë në klinika të ndryshme të QKUK-së shpesh herë janë ankuar edhe për mungesë të barërave esenciale./Indeksonline/