75 Mall Live Search
21:20 / E Mërkurë, 27 Mars 2019 / indeksADMonline

Sejdiu: Në LDK është një situatë e rivaliteteve të mëdha

Ish-presidenti i vendit, njëherësh ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu është deklaruar për procesin e zgjedhjeve në këtë parti.

Sejdiu beson në një proces të rregullt në këto zgjedhje, duke shtuar se e do rinimin e LDK-së.

“Është një kohë që në LDK zyrtarisht ende nuk janë shpallur zgjedhjet, ka aty k’tu ndonjë shkrim apo deklarim të njerëzve, kanë opinionet e tyre por ajo që duhet të ndodhë është se LDK pavarësisht se ka një nismë të procesit zgjedhor në ndonjë prej degëve, nuk është e marrë në bazë të Këshillit të Përgjithshëm që vendos për këtë proces. Kemi pas një situatë jo shumë të favorshme në mos-respektimin e rregullave se në procesin e mëparshëm para 4 viteve, është marrë një vit hua, pra i mandatit për proceset zgjedhore me arsye të ndryshme”, ka thënë Sejdiu.

I njëjti tha se sa i përket kandidimit të tij ende nuk ka ndonjë vendim të hapur, por që në momentin e nevojshëm do të tregojë se a do të jetë pretendent për t’u vu në krye të LDK-së.

“Është herët të thuhet, por unë do të marrë vendimin në momentin më të nevojshëm. Uroj të dalë me një proces të mirë, të përfunduar si duhet dhe të ketë një rreshtim të mirë të gjithë njerëzve që e duan të ardhmen e saj për vitet që vijnë. Mund të ketë apetitet, shtytje të llojllojshme, mendoj se është bërë një traditë e mirë për ata që e mendojnë LDK-në, si shtëpinë e tyre. Ka pas një proces të mëhershëm me një situatë të nxitur nga faktorë të jashtëm, por ka qenë i gabueshëm. Vendimi mund të jetë i Kryesisë, por jo i Këshillit të Përgjithshëm për zgjedhje, e dyta ajo pjesa e përcaktimit në ture të zgjedhura të mbajtjes së cikleve në disa degë lenë për të dyshuar për një qasje jo fort racionale dhe kritereve të përbashkëta, e dini se ka një numër të madh të degëve të LDK-së, por edhe i shumë atyre që tashmë janë shndërruar në nëndegë, e që ishte pak a shumë nevojë për pushtet”, shtoi tutje Sejdiu në Debat Plus, shkruan Indeksonline.

Ai tha gjithashtu se ka afërsi me të gjithë që janë në LDK, me shumicën tani për tani.

“Kam afërsi me të gjithë, me shumicën tani për tani. Në një kohë janë frikuar disa, pas atij Kuvendi në 2010 do të jetë problem të flasin me Fatmir Sejdiun, i cili ka qëllim tjetër. Nuk dua të flas me emra të përveçshëm, por njerëzit kanë marrë guximin edhe të flasin në momente të caktuara. Është një situatë e rivaliteteve të mëdha, por nuk dua të flasë se kush është me kë, por se si ndihet anëtarësia e LDK-së në përgjithësi. Nuk jam rob i atyre që mund të merren me analiza, komente, klikime në Facebook. Unë kam një presion shumë të madh pozitiv nga anëtarësia për kandidim. Nuk kam lëshuar LDK-në sikur dikush që kërcënon se nëse nuk bëhet kështu do të ndahemi, nuk e kam lëshuar për shkak të energjisë sime që e kam derdh në LDK, për shkak të kontributit dhe për shkak të besimit që kanë në mua dhe për shkak të besimit që kam në ta dhe në LDK”, tha Sejdiu.

Ish-presidenti i vendit, njëherësh ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu u deklarua edhe lidhur me përkrahjen e hapur që pati së fundi nga familja Geci, të cilët thanë se do të përkrahin atë për kandidimin në LDK.

Sipas tij nuk ka pasur ndonjë koordinim mes tij dhe familjes Geci për këtë deklarim.

“Unë kam parë qëndrimin e familjes Geci, por nuk ka koordinim në mes nesh. Unë mendoj që është qëndrim i tyre dhe nuk mundem askujt me i hy në shtëpi të shoh se cila është çështja e përgjegjësisë së momentit për mua unë shpreh vetëm respekt për atë qasje që ka pas familja, apo ma i vjetri i familjes por s’ka diçka e koordinuar me mua. Unë e dua rinimin e LDK-së dhe mendoj se është proces i rregullt i besimit. Unë nuk jam njeri që i jap ultimatume askujt por dua që konkurrenca të jetë e lirë dhe procesi të jetë i mbarë. Në çdo proces që kam hyrë, kam hyrë seriozisht dhe jo me lojë”, përfundoi Sejdiu./Indeksonline/