KUVENDI jep dritën jeshile, voton për mbylljen e lojërave të fatit!
Për disa orë ka zgjatur debati për ndalimin e lojërave të fatit, nga ana e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Pas shumë mospajtimeve me 60 vota për, 3 abstenime dhe asnjë kundër është miratuar projektligji për mbylljen e lojërave të fatit, shkruan Indeksonline.
Shumë deputetë si të pozitës ashtu edhe të opozitës kanë kundërshtuar projektligjin në fjalë, derisa të njëjtit kanë kërkuar të punohet më shumë në këtë drejtim.
Sipas shumicës, me mbylljen e lojërave të fatit krijohet monopol, pasi që në këtë mënyrë i jepet dukshëm hapësirë vetëm Lotarisë së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se ky projektligj nuk është në përputhje me rezolutën e votuar në Kuvend, derisa rreth paqartësisë për vazhdimin ose jo të punës së Lotarisë së Kosovës, ai kërkoi nga qeveria të sjellë projektligjin e ri për lotarinë.
“Unë e kam analizuar ky projektligji nuk është në përputhje me rezolutën që është votuar në Kuvend, e cila kërkon që Qeveria të nisë procedurat ligjore për mbylljen e gjitha lojërave të fatit, dhe t’i sjellë projektligji për këtë çështje. Projektligji thotë që lejohet Lotaria e Kosovës. Për të thjeshtuar situatën, qeveria të sjellë projektligjin e Lotarisë së Kosovës si institucion publik”, tha Hoti.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, mbështeti projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit, por kërkoi të sqarohet roli i Lotarisë së Kosovës në të ardhmen.
“Duke pasur parasysh se Lotaria e Kosovës është subjekt juridiko-publik, ne konsiderojmë që duhet të ekzistojë ky nen i veçantë që i ndalon Lotarisë të ketë marrëdhënie kontraktuale, apo kontrata të veçanta me subjekte juridiko-private”, u shpreh deputetja Nagavci.