75 Mall Live Search
10:35 / E Hënë, 01 Prill 2019 / indeksADMonline

Deputetët gjermanë kategorikisht kundër shkëmbimit të kufijve

Deputetët e CDU-së, Peter Bauer dhe Christian Schmidt nga Bundestagu gjermanë janë duke vizituar sot Kosovën.

Pas takimit që patën me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, deputetët gjermanë janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë përkrahjen në drejtim të Kosovës dhe proceseve të saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Deputeti Peter Bauer në konferencën për media ka deklaruar se kjo nuk është vizita e parë në Kosovë, ai përkujtoi shumë vizita të tjera të cilët ka pasur në Prishtinë, Prizren e qytete të ndryshme të Kosovës përderisa ishte në postin e zv/ministrit të Mbrojtjes.

“Kjo është baza kryesore për bashkëpunimin tonë në të ardhmen dhe ne falënderojmë Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët për mikpritjen e mrekullueshme që ia kanë bërë vazhdimisht ushtarëve tanë. Është gatishmëria jonë që Kosova t’i bashkohet Evropës dhe kjo gatishmëri vazhdon akoma e ne do të punojmë në këtë drejtim, që Kosova të bëhet pjesë e Evropës. Nuk mundemi t’i zgjidhim problemet që kemi përmes krijimit të problemeve të reja dhe kushdo që mendon se me krijimin e kësaj ideje për shkëmbim të territoreve mund të zgjidhë problemin duhet të jetë i vetëdijshëm se me këtë fillojnë shumë probleme të reja, që nuk prekin vetëm Kosovën por tërë rajonin ën përgjithësi”, ka thënë Bauer, transmeton Indeksonline.

Kurse deputeti Christian Schmidt tha se në takimin me Haradinaj janë diskutuar çështjet e rëndësishme të Kosovës, ndër to dialogu me Serbinë si dhe tema e mundësisë së shkëmbimit të kufijve, për të cilën janë shprehur kategorikisht kundër.

“Vetëm të konfirmoj edhe një herë mirënjohjen tonë për mikpritjen tuaj. Sigurisht se ne jemi shumë herë këtu për vizita, tek Qeveria dhe kryeministri, të cilin e falënderojmë për mikpritjen. Ne nuk jemi vetëm për vizitë zyrtare, jemi pranë miqve tanë, pasi qytetarët kosovarë janë miqtë tanë, të popullit tonë”, ka thënë Schmidt.

“Sigurisht se ne kemi biseduar edhe për proceset e ardhshme dhe për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin e mbështesim. Por poashtu diskutuam edhe për çështjen e temës së hapur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, të cilën temë vazhdojmë ta kundërshtojmë në çdo aspekt. Sa i përket shkëmbimit të territoreve thashë se Gjermani ka qëndrim të qartë dhe është absolutisht kundër kësaj ideje”, ka shtuar Schmidt.Në prag të zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së, ne sigurisht se do të luajmë rolin ndërmjetësues dhe mbështetës për proceset e ardhshme të Kosovës”, tha deputeti gjerman./Indeksonline/