75 Mall Live Search
20:01 / E Martë, 09 Prill 2019 / indeksADMonline

Zgjedhjet e brendshme në LDK e PDK, analistët nuk presin risi në udhëheqjen e tyre

Pjesa e parë e vitit 2019 do të gjejë dy partitë më të mëdha në vend, Partinë Demokratikë të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me struktura të reja organizative, e rrjedhimisht edhe me kryetarë të rinj, shkruan Indeksonline.

Derisa në PDK zgjedhjet e brendshme kanë filluar në tetor të vitit të kaluar, ato në LDK kanë nisur në fund të muajit mars të këtij viti.

Për të dy proceset zgjedhore është duke u proklamuar se do të jenë procese reformuese dhe që do të nxjerrin dy partitë më të konsoliduara.

Mirëpo, me një gjë të tillë nuk pajtohet njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu.

Ai në një prononcim për Indeksonline tha se deri më tani nga të dyja partitë nuk është duke u parë se do të ketë ndonjë reformim përveç përmbushjes së obligimit, atij të zgjedhjeve të brendshme.

“Nga ana e opinionin publik pritet që të jenë reformuese, që të jenë konsoliduese, avancuese dhe që të jetë ato subjekte politike të cilat i përmbushin pritshmërinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për fat të keq asgjë nuk po shohim që ka ndonjë reformim përveç se kryerje e obligimeve statutore dhe ligjore, përmbushja e detyrave që të kryhet procesi i brendshme elektoral”, ka deklaruar Baraliu.

Në të dy partitë, sipas tij, nuk do të ketë përtëritje të strukturave udhëheqëse por vetëm një vazhdimësi e lidershipit të deritanishëm.

E një gjë e tillë, sipas Baraliut, nuk është e mirë për demokracinë në këto dy struktura politike.

“Pothuajse në të dyja partitë nuk do të ketë përtëritje por do të ketë vazhdimësi e lidershipit në udhëheqje me partinë. Po ashtu nuk po ndodh reformimi i brendshëm, ne nuk po shohim që ka ndonjë avancim në aspektin e përforcimit të demokracisë së brendshme dhe përsëri është një lajm jo i dëshiruar dhe një përsëritje e së kaluarës, të një lidershipi të pandryshuar, i pa reformuar, pa prurjeje të reja esenciale dhe për zhvillim të partisë”, tha ai për Indeksonline.

Për dallim prej PDK, sipas Baraliut, në LDK, ka përfshirje të reja në kandidim, mirëpo një gjë e tillë nuk do të ndikojë në reformime rrënjësore.

“Në PDK jo se jo ndërkohë sipas të gjitha gjasave dhe jemi mësuar të shohim përmbushjet formale të kritereve, të kushteve. Në LDK ka zëra që do të ketë përfshirje të reja për kandidim për nominim por janë ambicie të zakonshme mirëpo sipas të gjitha indikacioneve dhe ajo që shohim nuk pritet reformime rrënjësore apo cilësore”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Fisnik Halimi, gjithashtu njohës i zhvillimeve politike në vend, proceset në PDK dhe LDK i sheh më ndryshe.

Sipas tij, në Partinë Demokratike është duke u bërë një “reformë e heshtur dhe e shëndoshë brenda strukturës”, ndërsa për zgjedhjet në LDK, Halimi shpreson se do të jenë korrekte dhe fer.

“PDK po zhvillon një proces zgjedhor të përgatitur jashtëzakonisht mirë deri më tash. Ky proces po e bënë edhe një reformë të heshtur dhe të shëndoshë brenda strukturës së PDK. Mbetet të shihet nëse procesi do të mund të vazhdoj në këtë frymë edhe gjatë kuvendeve të degëve të mëdha si ato të rajonit të Drenicës dhe qendrave kryesore rajonale”, ka thënë Halimi.

Ai ka komentuar edhe procesin e zgjedhjeve përbrenda LDK-së.

“Sa i përket LDK është me rendësi të madhe që zgjedhjet në këtë parti të zhvillohen po ashtu në frymë pozitive ku gara do të mund të shihej si fer dhe korrekte kjo do ta bënte LDK një prijëse të reformës demokratike brenda partive politike në Kosovë. Më e rëndësishmja pastaj do të ishte që garën ta fitonte vullneti i vërtetë i anëtarësisë së LDK dhe jo marrëveshjet në tavolinë. Personalisht mendoj se kandidaturat do të duhej shpallur dhe në këtë mënyrë të krijohet një garë e bukur e koncepteve”, ka deklaruar ai.

PDK me frymë të shëndoshë të procesit zgjedhor, sipas Halimit, do të rivendoste kandidaturën e vet serioze për të fituar edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“PDK në këtë mënyrë po e rivendosë kandidaturën e vet serioze për të fituar edhe një herë zgjedhjet parlamentare kurdo që do të mund të mbahen ato”, tha ai për Indeksonline.

Ndërsa, sa i përket kandidaturës së mundshme të kryetarit aktual të Lidhjes Demokratike, Fisnik Halimi, është i bindur për një gjë.

“Në anën tjetër jam plotësisht i bindur që nëse kryetari aktual Mustafa do të rivendosë kandidaturën e vet për kryetar do të dalë fitues pa shumë telashe”, ka thënë Halimi.

Deri më tani, shpalljet e kandidaturave për kryetar në të dy partitë janë në fazën fillestare.

Derisa në Partinë Demokratike, për kryetar deri më tani është përmendur vetëm emri i Kadri Veselit, në LDK, numri i kandidatëve të mundshëm për kryetar është më i madh.

Përveç, kryetarit aktual Isa Mustafa dhe kandidatit të vetëm zyrtar deri më tani, Lutfi Hazirit, janë përmendur edhe emrat e Agim Veliut, Haki Rugovës e Vjosa Osmanit./Indeksonline/