Mediat serbe: Berlini dhe Parisi me presion të shtuar mbi Beogradin
Mediat serbe kanë raportuar për presion të shtuar nga Berlini dhe Parisi në drejtim të Beogradit.
Duke raportuar për takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit që do të mbahet më 29 prill, mediat serbe kanë theksuar se në bazë të burimeve diplomatike që kanë thuhet se në këtë takim do të ketë presion që Beogradi të kthehet në tryezën e bisedimeve para se Kosova të largojë taksën.
Sipas tyre Berlini dhe Parisi kanë angazhim të shtuar në trajtimin e çështjeve kyçe në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në rifillimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së djeshme ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut derisa taksa 100% të largohet, ku edhe konfirmoi se me datën 29 prill do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel si dhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, ku të pranishëm do të jenë edhe liderët kosovarë.
E lidhur me këtë takim, presidenti kosovar, Hashim Thaçi deklaroi mbrëmë se nuk pret diçka të re lidhur me raportet Kosovë-Serbi, nga takimi i Berlinit më 29 prill.
Ai thotë se takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor do të jetë një takim rutinë e rritjes së vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor./Indeksonline/