Një muaj paraburgim për të dyshuarin për krime lufte ndaj shqiptarëve
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.G për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me të dyshuarit e tjerë ka kryer veprën penale Krime Lufte kundër popullatës civile.
Gjykata mori aktvendim dhe të pandehurit SH.G i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri SH.G, nё bashkëkryerje me tё pandehurit M.M, S.M, G.V, N.V, RR.G, H.G, G.G dhe XH.G, me 27 mars 1999, në lagjen “Tikvesh” në Klinë, kishte marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, rrahjen, maltretimin, djegien, plaçkitjen dhe dëbimin e popullatës civile, ashtu që tё veshur me uniforma policore dhe ushtarake serbe dhe të armatosur, fillimisht përmes ultimatumit, banorëve të lagjes iu kishin dhënë afat kohor prej 5 minutave për lëshimin e shtëpive të tyre.
Më pas, të gjithë të dyshuarit i kishin rrahur, maltretuar, therur me thikë banorët dhe po ashtu djegur shtëpitë e banorëve civilë shqiptar, të cilët i kishin dëbuar prej lagjes së tyre.
I njëjti pas kryerjes së veprës penale për një kohë ka qenë në arrati dhe që nga pas lufta viti 1999 nuk ka jetuar në Kosovë, pra i njëjti nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës, dhe së fundmi ka jetuar në Norvegji, duke iu shmangur organeve të ndjekjes dhe hetuesisë.