75 Mall Live Search
09:22 / E Hënë, 15 Prill 2019 / indeksADMonline

Houston dhe Milwaukee fitore të lehta në play off, zhgënjen Oklahoma

Vijon faza çerekfinale e play off-it në NBA, me Houston që korri një fitore të lehtë ndaj Utah Jazz me rezultatin 122-90. Ndeshje e dominuar nga ekipi teksan, që pati epërsi në fushë gjatë gjithë kohës. 7 lojtarë të Houston realizuan mbi 10 pikë, me të zakonshmin Harden që bëri diferencën, autor i 29 pikëve e 10 asist.

Në Perëndim fiton edhe Portland, që mundi 104-99 Oklahomën, sfidë e dominuar nga vendasit, por në fund emocionet ishin të mëdha. Lillard me 30 pikë e McCollum me 24 u dalluan për vendasit, duke i bërë të pavlefshme 26 pikët e George dhe 24 të Westbrook.

Në Lindje, ekipi i Boston triumfoi 84-74 ndaj Indiana, një ndeshje ku skuadrat gabuan shumë në gjuajtje dhe ku mbrojtjet bënë një paraqitje të mirë. Fitorja e Celtics erdhi në periodën e fundit, ku vendasit u shkëputën dhe fituan falë Irving e Morris, me nga 20 pikë secili.

Pa probleme triumfon Milwaukee, skuadra me rekordin më të mirë në sezonin e rregullt në NBA. Bucks fituan 121-86 ndaj Detroit, ndeshje në sens unik, pasi Milwaukee dominoi në çdo drejtim. Antetokounmpo realizoi 24 pikë e 17 rebound për vendasit, duke qenë lojtari më i mirë në fushë.

Konferenca e Lindjes – Çerekfinale Play off

1-8 Milwaukee – Detroit, 121-86 (1-0)

4-5 Boston – Indiana, 84-74 (1-0)

3-6 Philadelphia – Brooklyn, (0-1)

2-7 Toronto – Orlando, (0-1)

Konferenca e Perëndimit – Çerekfinale Play off

1-8 Golden State – Clippers, (1-0)

4-5 Houston – Utah Jazz, 122-90 (1-0)

3-6 Portland – Oklahoma, 104-99 (1-0)

2-7 Denver – San Antonio, (0-1)