Van Dijk: Askush s’e meriton të quhet mbrojtësi më i mirë në botë
Askush s’mund ta pretendojë titullin e mbrojtësit më të fortë në botë sipas Virgil Van Dijk.
Mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit ka arritur në një nivel te Liverpuli, ku etiketohet shpesh si më i miri në rolin e tij nga kritika. Por me modestinë që e karakterizon, ai vazhdon të këmbëngulë se askush nuk mund ta pretendojë një titull të tillë.
Që kur 27-vjeçari u transferua në “Anfield Road” në janarin e 2018-ës, ai e ka shndërruar repartin defektoz të “reds”-ave, në një prej më të sigurtëve, duke e ndihmuar klubin që të shkonte deri në finalen e Champions-it sezonin e shkuar.
Ai është pa dyshim vendimtar edhe në garën për titull këtë sezon dhe ish-futbollistë si Gary Nevil, Ditmar Haman, Chris Sutton dhe Pol Merson, i kanë vendosur petkun e mbrojtësit më të mirë të planetit.
“Askush nuk mund ta pretendojë me të vërtetë këtë titull, është thjesht çështje opinionesh”, tha holandezi pasi u cilësua si mbrojtësi më i mirë në botë edhe nga “Liverpool Echo”.
“Ne duhet thjesht që ta shijojmë kur lojtarët luajnë mirë për skuadrat e tyre dhe unë ndihem mirë për momentin. Sigurisht që pritshmëritë janë shumë të larta kur vjen në një klub me një çmim rekord, por ti nuk mund të bësh asnjë gjë për ta ndryshuar këtë.
Gjithçka mund të bësh është të luash mirë dhe të ta tregosh në fushë, duke fituar respektin përmes kësaj. Jam përpjekur ta bëj diçka të tillë që nga dita e para që kam ardhur këtu dhe gjithçka ka shkuar mirë. Ka shumë mbrojtës të mirë qendre dhe unë e shijoj duke i parë.
Nëse ka ndeshje të mëdha si ato të Ligës së Kampioneve në televizor, pa dyshim që i shoh se çfarë qendërmbrojtës të ndryshëm bëjnë në situata të caktuara. Kur njerëzit flasin për ty pozitivisht, normalisht që të bëhet qejfi. Është diçka pozitive, por vetëm kaq”, tha ish-stoperi i Celtic dhe Southampton.