Drogë e armë në duart e nxënësve, shkollat ende pa psikologë!
Rritja e dukurive negative nëpër shkolla, si përleshjet, përdorimi i substancave narkotike e deri te bartja e armëve, ka shtuar nevojën për prezencën e më shumë psikologëve nëpër këto institucione.
Për çdo ditë në raportet e Policisë janë raste kur të miturit përfshihen në rrahje apo edhe kur brenda oborrit të shkollës zihen me substanca të ndryshme narkotike.
Rasti më i freskët ishte gjatë ditës së djeshme në Prishtinë, ku disa nxënës në një shkollë janë zënë më substanca narkotike e armë zjarri.
Ky rast dhe shumë të tjerë që kanë qenë gjatë vitit të kaluar dhe tani, kanë shfaqur nevojën për rritjen e numrit të tyre brenda këtyre institucioneve.
Në një përgjigje për Indeksonline nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, bëjnë të ditur se numri i psikologëve që është i angazhuar nëpër shkolla në Kosovë është vetëm 41. Ndërsa, numri i pedagogëve është gjithsej 43.
Mirëpo, në krahasim me numrin e shkollave që është 1 mijë e 116, 41 psikolog nuk janë të mjaftueshëm që t’i plotësojnë nevojat e shkollave. Madje, në shumë shkolla të komunave nuk ka fare psikolog.
Në të dhënat e dërguar për Indeksonline, bëhet e ditur se në Dragash, Gjilan, Drenas, Kamenicë, Malishevë, Obiliq, Prizren, Shtime nuk ka fare psikolog.
Ndërsa, në shumicën prej tyre me vetëm nga një apo dy, përveç Prishtinës ku janë 13 dhe Ferizajt nëntë.
Se a është e nevojshme rritja e numrit të tyre, zyrtarë nga MASHT thonë se është por që varet nga dy faktorë.
“Besojmë që është e nevojshme rritja e numrit të tyre, por varet nga vullneti politik dhe sigurimi i buxhetit”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.
Sipas sociologut, Leutrim Sahiti ky numër i psikologëve është i vogël në krahasim me dukuritë negative në shoqërinë tonë.
“Me gjithë këto dukuri negative prezente në shoqërinë tonë e në shkollat tona, psikologët dhe sociologët të bredhin rrugëve të papunë është absurd që nuk e besoj që ndodhë në ndonjë shtet tjetër. Në Kosovë çdo vit diplomojnë studentë të psikologjisë e sociologjisë, në nivelet bachelor dhe master por as 10% e tyre nuk punësohen në profesionin e tyre”, ka thënë Sahiti.
Sipas tij, Ministria e Arsimit duhet të marrë vendim që në të gjitha shkollat e Kosovës të këtë psikolog dhe sociolog, duke theksuar se ata do të jepnin shërbime psiko-sociale.
Angazhimi i sociologëve dhe psikologëve në shkolla, me një program dhe qasje unike në të gjitha shkollat, sipas tij do të ndikonte në reduktimin e dukurive dhe sjelljeve devijante tek nxënësit.
“Identifikimi i grupeve të rrezikut, grupeve të margjinalizuara dhe vetëdijesimi i tyre kundër dukurive negative përmes ligjëratave e seancave të trajtimit psiko-social pa dyshim që do të ndikonte në reduktimin e dukurive të shumta që po rrezikojnë zhvillimin normal psiko-social të gjeneratave të reja”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Sipas të dhënave nga Sistemi i Menaxhimit të Informatave në Arsim, numri i institucioneve edukative-arsimore në Kosovë është gjithsej 1 mijë e 116.
Prej tyre, parashkollore janë 43 shkolla, fillore të mesme të ulët 942, të mesme të larta 125 dhe shkolla speciale 6./Indeksonline/