Vrasja e trefishtë në Prishtinë, çfarë e shtyu 61 vjeçarin të qëlloi për vdekje gruan dhe nusen e djalit!
Sot rreth orës 13:00 të pasdites në Prishtinë, në lagjen “Dardania” ndodhi një konflikt familjar ku mbetën të vdekur tre persona.
Kryefamiljari, Hasan Krasniqi qëlloi për vdekje gruan, nusen e djalit të tij dhe më pas veten.

Fillimisht, rreth këtij rasti të rëndë detaje ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia iu ka përgjigjur rastit dhe ka ftuar mjekët, njësinë ligjore, forenzikën dhe njësitë tjera që kërkohet të dalin në vendin e krimit. Fillimisht nga informacionet bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë, ndërsa më pas është kuptuar se një person i gjinisë mashkullore ka vrarë gruan, rejën dhe më pas veten”, ka thënë Kelani.

Krejt kjo ngjarje tragjike ka ndodhur para mbesës së dorasit, vajzës dy vjeçare.

Sipas informacioneve, i dyshuari edhe në të kaluarën kishte pasur probleme me gruan e tij, dhe se të njëjtit ishin pranë divorcit.
Sipas kryeprokurorit, Imer Beka dorasi i dyshuar kishte probleme mendore. Por ende nuk dihen motivet që e kishin shtyrë atë drejt krimit.
“Motivi ende nuk dihet, mirëpo sigurisht ngjarja ka ndodhur pas ndonjë zënkë familjare. Djali i të dyshuarit nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur vrasja, megjithatë sipas tij ai disa herë kishte vizituar psikiatrin”, ka bërë me dije ai, transmeton Indeksonline.

“I dyshuari ka pasur probleme psikike të mëhershme. Si duket i njëjti paska ushtruar dhunë edhe më herët në familje. I dyshuari me inicialet H.K., është kryesi i veprës i cili më pas ka kryer edhe vetëvrasje. Gruaja e të dyshuarit që u vra është me inicialet H.K., si dhe reja e tij është me inicialet R.K”, bëri me dije tutje ai.
Indeksonline, raportoi se dorasi ishte babai i hendbollistit të njohur, Kreshnik Krasniqi.

Ndërkohë që trupat e pajetë pak më herët janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të vazhduar tutje hetimet lidhur me këtë krim.
Indeksonline, gjatë ditës ka intervistuar edhe komshinjtë e Krasniqit, të njëjtit kanë mohuar se dorasi të ketë pasur probleme psikike. /Indeksonline/

