NBA: Clippers mposhtin kampionët, Rockets në gjysmëfinale
Në NBA u luajtën ndeshjet e radhës të “play off”-it. Kësaj here pati emocione, luftë të fortë sportive dhe surpriza në parket. Spikat fitorja e Los Angeles Clippers ndaj Golden State Warriors në shifrat 121:129. Skuadra e trajnerit Doc Rivers iu bëri gjëmën për herë të dytë në transfertë kampionëve në fuqi të NBA. “Lokomotiva” e suksesit ishte Lou Williams, me 33 pikë dhe 10 asiste.
Ndeshje shumë të mirë bëri edhe italiani Danilo Gallinari, që e mbylli me 26 pikë personale. Te Warriors nuk bënë punë 45 pikët e Kevin Durant, që u tregua i jashtëzakonshëm individualisht, ndërsa Steph Curry e Klay Thompson e mbyllën me nga 24 dhe 22 pikë, respektivsht.
Gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit i ka siguruar edhe Houston Rockets, që mposhti Utah Jazz me rezultatin 100:93.
Spikati James Harden, që realizoi 26 pikë, 6 asiste dhe 6 “rebound”, ndërsa Clint Capela e mbylli me “double-double”, 16 pikë e 10 rikuperime. Tashmë, Rockets presin të mësojnë kundërshtarin e gjysmëfinales së Konferencës së Perëndimit, e cila do të dalë nga përballja mes Warriors dhe Clippers.
Rezultatet:
Golden State Warriors- Los Angeles Clippers 121:129
Houston Rockets-Utah Jazz 100:93