75 Mall Live Search
11:26 / E Shtunë, 27 Prill 2019 / indeksADMonline

Sot 2 vite nga lirimi i Haradinajt nga Gjykata në Colmar, flet njeriu që i qëndroi më së afërmi në këtë kohë

Sot janë bërë 2 vite nga lirimi i Ramush Haradinajt nga Gjykata në Colmar. Pikërisht dy vite më parë, kjo Gjykatë kishte refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradim.

Haradinaj, duke iu drejtuar medieve dhe të pranishmëve para gjykatës kishte thënë se në këtë përballje kanë fituar shqiptarët.

Njeriu që i qëndroi më së afërmi për 4 muaj qëndrimi në Francë ishte Gani Dreshaj.

Deputeti i AAK-së nuk i ishte ndarë për asnjë moment Haradinajt në atë kohë, për çka kryeministri aktual e kishte falënderuar veçanërisht atë në momentin e parë të arritjes në Kosovë.

“Ka shumë shqiptarë të mirë që më kanë qëndru të kambët, por e kom drejtën me e veçu një, është Gani Dreshaj i Istogut, faleminderit Gani” kishte thënë Haradinaj në arritjen e parë nga Franca në Kosovë.

Vetë Gani Dreshaj e ka quajtur këtë ditë si njëra nga më të lumturat në jetë.

“Sot bëhen dy vite nga lirimi i njeriut të luftës e të paqes, Ramush Haradinajt nga Gjykata e Colmarit.

Kjo ditë për mua do të kujtohet gjithmonë si një nga më të lumturat në jetën time.
Ndihem krenar dhe i privilegjuar që pata rastin të jem afër tij në momente të vështira e sfiduese ndaj padrejtësisë së radhës që i ishte bërë.

Për 4 muaj, Haradinaj u mbajt padrejtësisht në Francë, për të fituar drejtësinë ndërkombëtare për të tretën herë që nga paslufta.
Sot, ndihem krenar që ky fitimtar është prirës i shtetit tonë, që Ushtria e Kosovës mbanë vulën e tij dhe që taksa ndaj Serbisë mbanë hijen e tij.

Krenar me veprën tënde hero i gjallë, Ramush Haradinaj” shkruan Dreshaj në Facebook./Indeksonline/